Ballina Aktualitet Opinione BALLKANI – PROJEKTET EKSPANSIONISTE SERBE, GREKE DHE BULLGARE

BALLKANI – PROJEKTET EKSPANSIONISTE SERBE, GREKE DHE BULLGARE

Xhelal Zejneli

Që nga Kongresi i Berlinit (1878) e këndej, Serbia, Greqia dhe Bullgaria kishin synime hegjemoniste dhe ekspansioniste. Serbia synonte të realizojë Naçertanien (Projektin) e ministrit serb të Punëve të Brendshme – Ilija Garashanin (1812-1874).

Në të ishin vënë bazat e politikës serbomadhe. Qëllimi ishte rimëkëmbja e perandorisë mesjetare të Car Dushanit (Stefan Dushani, rreth 1308-1355). Kufijtë e Serbisë së re duhet të zgjerohen në të gjitha rajonet ku jetojnë serbët dhe këta kufij, sipas reformatorit gjuhësor serb Vuk S. Karaxhiqit (1787-1864), janë kufijtë e gjuhës serbe. Me fjalë të tjera, aty ku flitet serbishtja, aty është Serbi. Ky bëri përkufizimin e ri gjuhësor të serbizimit.

Sipas tij, maqedonasit e Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit dhe të Tetovës flasin serbisht. Më 1852, shtypi i Beogradit shkruante se në Shkup dhe rrethinë, flitet serbishtja e pastër. Sikundër shihet, uniteti fetar nuk ishte më mjet i mjaftueshëm për ta zbatuar serbizimin, ndaj u plotësua me teoritë linguistike.

Sipas serbëve, malazeztë, myslimanët e Bosnjës dhe kroatët flasin serbisht dhe bazuar në teoritë linguistike të përcaktimit të kombësisë, ata janë serbë me tre besime: malazeztë janë serbë të besimit ortodoks, myslimanët e Bosnjës janë serbë të fesë islame, ndërsa kroatët janë serbë të fesë katolike. Teoritë e tilla – linguistike – të përkufizimit të kombësisë, ishin mjet i parapëlqyer edhe i bullgarëve.

Nga fundi i shekullit XVIII, qarqet shoviniste greke hartuan platformë politike që synonte krijimin e një shteti të madh grek në kufijtë e perandorisë Bizantine, ku do të përfshiheshin edhe troje të banuara me popullsi të tjera ballkanike (shqiptarë, sllavo-maqedonas, bullgarë etj.).

Megali idea (Ideja e madhe) u ngrit në shkallën e një platforme politike shtetërore, kur kryeministri grek Jan Koleti (Ioannis Koletis) e shpalli atë në Asamblenë Kombëtare të Greqisë (1944), si themel të ekzistencës politike të Greqisë.

Në fillim të shekullit XX shovinistët grekë u orvatën ta realizonin Megali idenë në Shqipëri, duke shpallur pretendimet e tyre mbi të ashtuquajturin Vorio-Epir, d.m.th. synimet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke përfshirë edhe krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës, madje të shtriheshin deri te lumi Shkumbin.

Bullgari të madhe synonin edhe bullgarët. Këtë donin ta realizonin nëpërmjet Traktatit të Shën-Stefanit të nënshkruar më 3 mars 1878 në Shën-Stefan (lagje e jashtme e Stambollit) midis Turqisë dhe Rusisë, pas luftës ruso-turke të viteve 1877-1878.

Me këtë traktat famëkeq për kombin shqiptar, pjesë të gjera të trojeve shqiptare iu dhanë Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Populli shqiptar i kundërshtoi me forcë vendimet e traktatit të sipërthënë, gjë që çoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10.06.1878).

Në kohën kur serbët, grekët dhe bullgarët i hartonin projektet e tyre kombëtare për të krijuar shtete të mëdha, shqiptarët që ishin nën sundimin e egër të Perandorisë Osmane dhe në shërbim të saj, hartuan një abetare prej tetë faqesh (Ëvetari, 1844 i Naum Veqilharxhit).

Ëndrrat serbe, greke dhe bullgare për të krijuar shtete të mëdha, e shndërruan Ballkanin në fuçi baruti.

@tn.lajmelokale
@tetovanews