Ballina Aktualitet Opinione “Çamët” e Dibrës, pronat e dibranëve nën Maqedoni, dhe “Shkopi i Bejsbollit”

“Çamët” e Dibrës, pronat e dibranëve nën Maqedoni, dhe “Shkopi i Bejsbollit”

Nga Abdurahim Ashiku

Ditën e fundit të janarit 2018 dhe ditën e parë e shkurtit 2018, kryelajm në portale, ekrane televizive, kryefaqe gazetash ishin “Çamët e Dibrës”, në një dhunë me “shkopinj bejsbolli mbi personelin e në veçanti mbi “një nëpunës të bashkisë nga…jugu” (!)

Për korrektesë publicistike mund të deklaroj se çam në Dibër është vetëm një. Prindërit e tij; gjyshja, babai nëna, njerëz tepër të nderuar e të përkushtuar në Peshkopi, prehen në varrezat e qytetit, ndërsa ai, lindur e rritur në Peshkopi, është një figurë e veçantë publicistike dhe zë i Dibrës në medien e shkruar. Nuk është anëtar i “Partisë Çame”, siç shkruhet rëndom në vend që të shkruhet e folet publikisht “Partia, Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)”

Para dy vjetësh kur bëri emër në Dibër PDIU, madje me kryetar të përkohshëm bashkie (ishte burgosur ish kryetari) bëra një shkrim me shënjestër pronat e dibranëve në Dibër të Madhe dhe në qytetet e tjerë të Maqedonisë në vijë me kërkesën e PDIU për pronat e çamëve në Greqi si një paralele të shumë paraleleve të pronave shqiptare në shtetet fqinj, aktualisht të shtetëzuara e të uzurpuara sllavoshtetet.

Prisja që PDIU në Dibër të merrte e fuste në program pronat e dibranëve nën Maqedoni por ajo, mesa u përcoll në kronika gazetash e televizive, syrin e paska pas tek “karriget në bashki”…

Po i kthehem shkrimit, pa i hequr asnjë fjalë…

* * *

Nuk ka vetëm prona Çame jashtë kufirit të Shqipërisë, ka edhe prona dibrane që duhen kërkuar në Kuvend e deri në gjykatat ndërkombëtare.

Pak, vetëm ata me “një gramë shkollë” e dinë zbërthimin e tog germave PDIU. Rëndom, në shtypin e shkruar dhe elektronik, në fjalorin publik të drejtuesve kryesorë dhe anësorë të këtyre dy partive, përkatësisht ajo thirret “Partia Çame”.

Kuptimi është Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

PDIU e vlerëson veten si “Partia e vetme Kombëtare Shqiptare e cila në fokus ka çështjen kombëtare e në veçanti çështjen Çame”.

Partia çame pak ditë më parë zhvilloi kongresin e saj ku nga fjala e parë deri në të fundit, nga kreu i partisë deri tek kryeministri, u fol vetëm për çështjen Çame, për trojet e të parëve, për varret, për gjenocidin grek dhe për shpërnguljen masive të një popullsie të tërë shqiptare.

E donte rasti që me të njëjtën gjuhë të flitej edhe për anë të tjera të “çështjes kombëtare”, për ikjen e detyruar të dibranëve nga makina shoviniste serbe, djegien e Dibrës dhe rrugëtimin biblik të dibranëve drejt Elbasanit dhe Tiranës, tubimin e tyre në një lagje qyteti që vonë do të bëhej kryeqytet, lagje që edhe sot mban emrin e përveçëm “Mëhalla e Dibranëve”, mëhallë me rreth shtatëdhjetë mijë dibranë, një pjesë e tyre ende “rrënjë e gjallë e shkulur” në vitet e dhunshme serbe 1913-1922 dhe “paqësore” në vitet 1944-1946.

Në Dibër mësohet se paska një degë të partisë Çame, parti e cila paska edhe këshilltarë bashkiakë, madje zëvendësues i kryetarit në burg të bashkisë qenka “çam”.

Me siguri në kongresin e Partisë Çame ka pas edhe delegatë nga Dibra, mbase edhe zëvendësuesi i kryetarit të bashkisë. Por ajo që di publikisht është se në ekranin e vogël dhe në faqet e para të gazetave të printuara, nuk u pa të ketë diskutuar njeri, të ketë ngritë me forcë zërin për pronat e dibranëve, për gjenocidin e ushtruar si në asnjë krahinë tjetër, për dhunën ndaj dibranëve autoktonë në fillim e në mes të shekullit, por edhe në ditët tona.

Kryetari i komunës së Dibrës së Madhe Argëtim Fida, lidhur me shpërnguljet e dibranëve nga trojet e tyre nëpërmjet mbytjes së tokave pjellore nga ndërtimi i hidrocentralit të Spiles shkruan:

“Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Shpiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pos humbjes të rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i
ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.

Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën.”

Dibra, qytet i madh shqiptar në fillim të shekullit të 20-të, pësoi hemorragjinë më të madhe në historinë e vet. U shndërrua nga një qytet në “qendrën gjeografike shqiptare” në një qytet-fshat.

Dibranët e asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar në vitin 1991, nxituan pa asnjë pengesë ligjore të marrin tokat dhe pronat e tyre në fshatrat e Dibrës, në Tiranë, Elbasan e kudo ku kishin tapi turke të shekullit të 19-të.

Nuk ndodhi e njëjta gjë me dibranët që përjetuan ikjen dhe gjenocidin serb në një masë me gjenocidin grek në zonën shqiptare të Çamërisë. Me ligjin serb në fuqi Maqedonia i ka shtetëzuar pronat e dibranëve dhe shqiptarëve të tjerë dhe nuk lejon as kompensim fizik, as kompensim monetar, e as kthim në trojet e tyre shekullore. Kllobçishti është ndoshta fshati më simbol në botë që shtëpitë i ka në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe tokat e bukës, toka me të cilat është ushqyer popullsia ndër shekuj, i ka në anën tjetër të kufirin, nën sekuestrimin e shtetit serbo-maqedon.

Jo vetëm ai, edhe shumë fshatra të tjerë në kufi.

Në një bisedë me Mentor Zeraliun, 93 vjeç, intelektual i shquar dibran, ndër të tjera më tregon edhe për një nga udhëtimet e tij në Dibër të Madhe vitet e fundit. Ai, si pasardhës e familjes Zeraliu, më foli për një pyll të madh me gështenja mbi llixhat e Kosovrastit, pronë e familjes. Më foli edhe për shtëpinë e tyre dykatëshe në qendër të Dibrës së Madhe.
Kishte trokitur në portën e shtëpisë së tij. I kishte të fiksuara në kujtesë portën gjithnjë të hapur për miq e dashamirë, shkallët ngjitëse, dhomat, reliktet… Trokitjes i ishte përgjigjur një grua që me ta parë kishte shtangur. Kishte menduar se ka ardhur ti marrë shtëpinë e cila e shndërruar në pronë shtetërore i ishte dhënë familjes së saj. E kishte qetësuar.

I kishte thënë se nuk kam ardhur ta marr por vetëm për të kujtuar fëmijërinë time.

Një ngjarje të tillë kishte përjetuar edhe një çam. I ndodhur në Athinë ai kishte guxuar të shkojë në vendlindjen dhe vendbanimin shekullor të të parëve të tij në një fshat të Çamërisë. Greku që kishte shtëpinë dhe pronat i kishte thënë pa mëdyshje se shtëpia dhe tokat me ullinj janë të tijat…

Në arkivin tim ruaj në origjinal 9 tapi turku të vitit 1892. Tapitë janë në emër të Sheh Hysenit, atdhetarit shqiptar që shoqëroi Abdyl Frashrin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, njeriu që më 22 shtator të vitit 1913 u pushkatua disa orë përpara se të hynin kryengritësit dibranë në qytet, nga pushtuesit serbë së bashku me pesë patriotë të tjerë. Fëmijët e tij, tre djem e katër vajza, për ti shpëtuar shfarosjes, kaluan Drinin vendosur dy e nga dy në koshat e kalit.

Do të ktheheshin ata në vitin 1941 kur u shpall nga Italia fashiste “Shqipëria e madhe” për tu larguar në nëntor 1943 kur mortajat e gjermanit u shkatërruan shtëpinë dhe i nxorën, si në vitin 1913, në një udhëtim të ri biblik vetëm me rrobat e trupit.

Ikja e dibranëve nga reprezaljet serbe, ikje pas një qëndrese “I vetëm kundër shkjaut”, është një ngjarje që nuk përshkruhet. Atë mund ta lexosh me germa të mëdha në Dibër, në Tiranë, siç mund të lexosh edhe ngjarje që lidhen me çamët dhe Çamërinë, me Kuksianë, Tropojanë, Malësisë së Madhe, shkodranë që kanë trojet dhe pasuritë e tyre të sekuestruara nga serbo-Jugosllavia dhe askush nuk mund ti marrë, ashtu sikurse nuk mund ti marrin edhe çamët.

Nuk kam asgjë me organizimin “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet” tashmë pjesë e jetës politike në Dibër. Njerëzit janë të lirë në demokraci të zgjedhin dhe ti harmonizojnë interesat e tyre politike e materiale me kë të duan dhe si të duan.

Jam për atë që flamurin për “Drejtësi” ta shpalosin edhe në Dibër, të ngrenë zërin fort në kuvend dhe kudo edhe për të drejta të dibranëve, të drejta që nuk ndryshojnë aspak me të drejtat e komuniteteve nga nisin rrënjët e dalin filizat e të qenit të tyre parti politike.

Nuk ka vetëm prona Çame jashtë kufirit të Shqipërisë, ka edhe prona dibrane që duhen kërkuar në Kuvend e deri në gjykatat ndërkombëtare.

Plagët pasurore të Shqiptarëve janë tepër të mëdha, sa një herë e gjysmë sipërfaqja e Shqipërisë londineze…

Personalisht kam shumë miq çamë, miq fakulteti si doktor profesori i shkencave bujqësore Resmi Osmani, miq që erdhën në Dibër për të lënë emër të përveçëm si Kasëm Muhameti, kryeveteriner i Ndërmarrjes Bujqësore Dibra dhe të tjerë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews