Ballina Aktualitet Opinione ÇKA PASTAJ, Maqedonia pas zgjidhjes së kontestit të emrit

ÇKA PASTAJ, Maqedonia pas zgjidhjes së kontestit të emrit

Nuk arrijmë që bashkërisht të ulemi e të merremi vesh që çdonjëri të bëjmë atë që dimë të bëjmë më së miri edhe si individ, por edhe si pjesëtarë të një grupi të caktuar, lirisht mund të konstatojë se nëse jo të gjithë qytetarët e këtij shteti, me siguri që pjesa dërrmuese e tyre do ta gjejnë Evropën, por të gjithë ne pa dallim do ta humbim Maqedoninë

Nga Bilall KASAMI

Të gjithë jemi të koncentruar në një problem që tanimë duket i pazgjidhshëm edhe pse jemi më afër zgjidhjes së kur më parë e që është kontesti i emrit të shtetit me Greqinë. Për më shumë, gati të gjitha resurset kombëtare dhe ndërkombëtare i kemi orientuar që të merren me zgjidhjen e këtij problemi. Aq shumë jemi të preokupuar më këtë problematikë saqë shumë pak, për të mos thënë se fare nuk merremi më atë se çka pastaj!

Pa u futur në atë se kush ka të drejtë e kush e ka gabim, në këtë tekst dua të ofroj një kuadër më të gjerë të problemit me të cilin po ballafaqohemi të gjithë pa dallim edhe pse maqedonasit duan ekskluzivitet të plotë në zgjidhjen e problemit me emrin e shtetit. Për më shumë se njëzet vite Maqedonia nuk arrin të gjejë rrugën e duhur për një sistem shoqëror, i cili do të ofroj stabilitet të plotë të shtetit dhe do të krijojë mirëqenie për qytetarët.

Problemi me emrin e shteti është vetëm një tullë në murin e ngritur në mes të një Maqedonie të cilën e dëshirojmë të gjithë, por nuk e kemi dhe asaj në të cilën jetojmë, por gati se askush nuk e do për një arsye apo tjetër. Dhe e gjitha kjo si rezultat i paaftësisë së elitave politike që të marrin vendime të dhimbshme në momentin e duhur, por të patjetërsueshme për një të ardhme të ndritur të të gjithë qytetarëve, por edhe të shtetit në tërësi.
Në momente të caktuara, moszgjidhja e çështjes së emrit të shtetit, po del se nuk është shkak i problemeve të shumta të shtetit, ashtu si duan ta prezantojnë politikanët. Por, gjithnjë e më shumë po shpërfaqet me fytyrën e vërtet si një pasojë e paaftësisë së elitave politike për të marrë vendime të rëndësishme në momente historike.

Ashtu si edhe në jo pak raste të tjera me të cilat jemi ballafaquar, shumë shpejt mund të ballafaqohemi me dëshpërimin e radhës e ai të jetë se edhe pasi të zgjidhim problemin e emrit, ne përsëri do të vazhdojmë të rropatemi me një gjyqësor, i cili më shumë merret me montim të rasteve kundër shqiptarëve se sa që merret me atë që e ka për obligim me kushtetutë dhe ligj, ndarje të drejtësisë për të gjithë.

Edhe më tutje do të vazhdojmë të merremi me zgjidhje parciale të problemeve të grumbulluara ndër vite e që ndërlidhen me marrëdhëniet ndëretnike. Mos të flasim që ende nuk e kemi idenë e ndërtimit të një sistemit të mirëfilltë të një ekonomie të tregut të lirë, e cila as që do t`ia dijë për intervenime politike.

Që nga momenti i zgjidhjes definitive të çështjes së emrit, do të zgjohemi me realitetin e hidhur që e kemi ndërtuar ndër vite për këto gati 30 vjet tranzicion të munguar. Që kontradikta të jetë edhe më e madhe, ky nuk do të jetë një zgjim i vetëdijshëm nga gjumi letargjik që na ka kapluar për këto vite të humbura, por do të jetë edhe një tentim nga partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht shtetet mike të BE-së dhe SHBA-të, për të na kthjelluar e rikthyer në realitetin e hidhur në të cilin jetojmë.

Dhe përsëri e përsëri, elitat politike duke mos pasur guximin e nevojshëm për të njoftuar opinion se kemi fituar një betejë të vogël për t`u kthyer në luftën e madhe që na pret dhe në mungesë të plotë të një vizioni të qartë për të ardhmen e shtetit, fajin do t`ua hedhin miqve tanë se ata nuk janë të gatshëm të na ndihmojnë sikur të na e kenë këtë borxh, që të kujdesen për ne më shumë se që ne duhet kujdesemi për vetveten.

Me fjalë tjera, se nuk kemi bërë ndonjë punë të madhe me atë që e kemi zgjidhur çështjen e emrit, por veçse kemi larguar një gur nga rruga jonë drejtë të ardhmes më të mirë në familjen e madhe evropiane, përsëri përkujtimi do të na vijë nga institucionet e BE-së. Dështimin që të kemi një jetë më të mirë, një jetë të dinjitetshme, dështim, pasojat e të cilit do të vazhdojmë t`i ndjejmë fuqishëm edhe pas zgjidhjes së këtij problemi, edhe më tutje do të vazhdojmë ta lexojmë në raportet e progresit, për mos të thënë të regresit, të përgatitura nga institucionet e BE-së.

Dhe, pasi t`i lexojmë, do të pasojnë komente e analiza të shkurtra e të gjata, nga analistë e intelektualë të ndryshëm të pozitës e opozitës, nëpër media e çajtore, se sa keq po jetojmë, se këtu përfundimisht nuk ja vlen të harxhojmë kohë dhe nerva për të kërkuar zgjidhje.

Më pak për shkak të opozitës e më shumë për shkak të pozitës, maqedonasit duke i fajësuar shqiptarët e këta duke fajësuar maqedonasit. Por, përsëri rezultati do të vazhdojë të jetë po ai i njëjti, një jetë që nuk ja vlen edhe aq për ta jetuar në një shtet pa shtet, ekonomi pa zhvillim, gjykata pa drejtësi, shëndetësi pa shëndet, kulturë pa kulturë…

Pra, për gjithë qytetarët e këtij shteti, pa marrë parasysh se si do ta quajmë atë nesër, elitat politike, që sot duhet të ofrojnë një vizion më të qartë për atë që na pret pas zgjidhjes së çështjes së emrit, duhet t`u tregojnë qartë qytetarëve së kompromisi më i dhimbshëm nuk është kompromisi për emrin, por ajo që na pret pastaj. Sepse, megjithatë në një botë të egër përsëri duhet që vetë të përveshim krahët e të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, i cili do të ndajë drejtësi për të gjithë, do të ndërtojmë një sistem ekonomik që do të përkrah të suksesshmit që të kenë suksese më të mëdha, sepse kështu do të jemi të gjithë të suksesshëm, do t`i zgjidhim problemet që dalin nga diversiteti shoqëror duke respektuar tjetrin dhe përfundimisht duke kuptuar se nuk mund të ketë zgjidhje të kënaqshme për mua duke dëmtuar komshiun, i cilës do përkatësi qoftë ai.

Dhe për fund, nëse nuk arrijmë që bashkërisht të ulemi e të merremi vesh që çdonjëri të bëjmë atë që dimë të bëjmë më së miri edhe si individ, por edhe si pjesëtarë të një grupi të caktuar, lirisht mund të konstatojë se nëse jo të gjithë qytetarët e këtij shteti, me siguri që pjesa dërrmuese e tyre do ta gjejnë Evropën, por të gjithë ne pa dallim do ta humbim Maqedoninë.

VIDEO bonus

@tn.lajmelokale
@tetovanews