Ballina Aktualitet Opinione Ja si do të falsifikohet regjistrimi i popullsisë në Maqedoni

Ja si do të falsifikohet regjistrimi i popullsisë në Maqedoni

Abdulla Mehmeti

Edhe pse konsiderojmë që tendenca për t’i dhënë rëndësi çështjes së numrave dhe statistikave për ndarjen e njerëzve mbi baza etnike, fetare, gjuhësore dhe dallime të tjera nuk është humane, por nevoja për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve nga falsifikimet që bëjnë pushtetet jodemokratike, politizimi i kësaj çështje, përdorimi i të dhënave për qëllime destruktive, johumane dhe djallëzore, me kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut mbi këtë bazë, na jep të drejtë të jemi në anën e së vërtetës dhe kundër falsifikimit të numrit të popullsisë në bazë të përkatësisë etnike.

Shumica e shteteve jodemokratike, sidomos në rajonin tonë, nuk e bëjnë regjistrimin e popullsisë për nevojat e qytetarëve dhe të shtetit, përgatitjen e planeve ekonomike, zhvillimore dhe sociale, por për hartimin e strategjive shoviniste për shtypjen dhe sundimin e popujve të cilëve u mohohet e drejta e vetëvendosjes, vetëpërcaktimit dhe zhvillimit të natyrshëm të tyre.

Kështu, përmes regjistrimeve të derisotme, numri i shqiptarëve në Maqedoni është përgjysmuar me metodat më perfide të operacionit statistikor të quajtur regjistrim i popullsisë, ndërkohë që organet e pushtetit, në mënyrë të fshehtë dhe të hapur janë angazhuar për ndryshimin e strukturës demografike të popullsisë në këtë shtet.

Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për përsëritjen e regjistrimit të popullsisë në vitin 1994, ndërprerjen e regjistrimit në vitin 2011, shpërnguljen në masë të popullsisë gjatë dekadës së fundit, ngritjen e tensioneve ndëretnike me qëllim të heshtjes së kësaj çështje tepër domethënëse për statusin kushtetues-juridik dhe errësimin e perspektivës për të ardhmen e popullit shqiptar në Maqedoni.

Përmes teknologjive bashkëkohore, kjo përvojë e ndërhyrjes shoviniste të organeve të pushtetit për fshehjen e realitetit dhe falsifikimin e të dhënave për numrin e popullsisë është bërë gati e pamundur, prandaj këto shtete janë të ,,detyruara” të shpikim metoda të tjera më ,,moderne” dhe ,,demokratike” për vazhdimin e këtyre praktikave johumane.

Këtë e dëshmon edhe qasja e re e organeve kompetente të cilat tanimë i kanë filluar përgatitjet e nevojshme për këtë operacion statistikor i cili do të zhvillohet në Maqedoni gjatë vitit 2020, ku parashihet të hiqet rubrika për deklarimin e përkatësisë etnike të qytetarëve dhe në vend të saj të deklarohet vetëm gjuha që e flasin ata. Ky është një ,,zbulim” djallëzor për ruajtjen e gjendjes ekzistuese, meqë nga së paku 29 nacionalitetet që jetojnë në këtë shtet, vetëm shqiptarët (dhe një pjesë e qytetarëve turq e rom) flasin gjuhë tjetër, të ndryshme nga gjuha zyrtare e shtetit në Maqedoni.

Sidoqoftë, të dhënat statistikore zyrtare (Enti shtetëror i statistikës) për përkatësinë etnike të qytetarëve në Maqedoni, siç është numri i nxënësve në shkollat fillore, numri i fëmijëve të lindur sipas përkatësisë së prindërve, numri i çifteve të kurorëzuar dhe të dhëna të ngjashme, flasin mjaftueshëm se numri i shqiptarëve në këtë shtet është shumë më i madh seç paraqitet zyrtarisht (afër 25%) dhe ai arrin diku mbi 35-40%, me të gjithë manipulimet dhe falsifikimet edhe të këtyre të dhënave.

(24.3.2018)

@tn.lajmelokale
@tetovanews