Ballina Aktualitet Lajme Ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, aktakuzë për 30 persona (VIDEO)

Ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, aktakuzë për 30 persona (VIDEO)

Prokuroria për krim të organizuar ngriti akuzë kundër 30 personave për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar. Mes të akuzuarve janë 5 deputetë. Për terrorizëm dhe kërcënim të rendit kushtetues nuk do përgjigjet vetëm deputetja e VMRO-DPMNE-së Zhaklina Peshevska, pasi ndaj saj nuk ka pasur dëshmi të mjaftueshme Kundër katër personave nuk është ngritur akuzë sepse janë në arrati, ndonëse praktika më herët ka treguar se në raste të ngjashme, të akuzuarit janë gjykuar në mungesë.

Kryeprokurori Lubomir Jovevski përmendi 35 persona që drejtpërdrejtë kanë lidhje me ngjarjet në Kuvend. 28 persona do të përgjigjen për terrorizëm, ndërsa dy agjentët e DSK-së që i morën incizimet nga kamerat e sigurisë në Kuvend, do të përgjigjen për “ndihmë për veprën”. Jovevski vlerëson se nuk ka ndryshime në qëndrimin e tyre dhe se të gjithë do të përgjigjen për të njëjtën vepër.

Tani nuk ndryshon asgjë. Këtu kemi edhe procedurë kundër personave që janë të pakapshëm dhe për ta procedura është ndërprerë. Kjo do të thotë se kur ata do të jenë të kapshëm, procedura do të vazhdojë – u shpreh Lubomir Jovevski, kryeprokuror.

Thatë se të gjithë do të përgjigjen për veprën e njëjtë?

Në fakt edhe tani të gjithë do të përgjigjen për të njëjtën vepër, por kemi dy të akuzuar që kanë ndihmuar – u përgjigj Lubomir Jovevski, kryeprokuror.

Prokuroria sqaroi se të akuzuarit kanë komunikuar mes tyre. Njëri prej tyre, më 27 prill në orën 14:30 është informuar ta fillojë aksionin. Kanë filluar me mobilizimin e njerëzve. Por prokuroria nuk tregoi a ka indikacione për atë se kush e ka porositur dhunën.

Nuk e di prej ku doli kjo, mendoj se nga prezantimi i akuzës nuk u përmend se është porositës, por vetëm se më parë është zhvilluar komunikim – tha Lubomir Jovevski, kryeprokuror.

Prokuroria paraqiti edhe hollësi nga hetimi. Tre pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, bartës të komandave të larta të ashtuquajtura “komanda e artë dhe e argjendtë – megjithëse e dinin se jetët e deputetëve dhe gazetarëve ishin në rrezik, nuk kanë dhanë urdhër të përforcohen me policë shtesë. Paraprakisht gjatë mobilizimit të njerëzve, të pandehurit e kanë ditur që Kuvendi nuk do të sigurohej në mënyrë adekuate.

Dhjetë të pandehur të një grupi më të madh iu kanë dhënë maska dhe janë nisur drejt Parlamentit. Organizatorët e protestave “Për një Maqedoni të Përbashkët” përmes fjalimeve nxitëse, i nxitën qytetarët e mbledhur. Turma filloi ta thyejë derën e përparme. Kanë dështuar për shkak të mbrojtjes së sigurisë nga brenda. Pastaj ka ardhur ndihma nga deputetët e VMRO – DPMNE-së.

Një nga deputetët e akuzuar ka komunikuar nëpërmjet telefonit me një person të akuzuar nga grupi, që ka pritur para dere, me çka vërtetohet edhe koordinimi midis këtyre grupeve. Pas koordinimit përmes telefonit, tani pesë deputetët e pandehur, së bashku me tre të pandehur persona zyrtar nga sigurimi i Kuvendit, i kanë hapur dy dyert hyrëse, duke hequr trarët mbrojtës të metalit dhe me këtë kanë mundësuar hyrjen e personave me maska dhe të qytetarëve të mbledhur në parlament – shprehet Elizabeta Nedanovska, zëdhënëse e Prokurorisë Publike.

Prokuroria theksoi se hetimi tregoi se në organizimin e ngjarjeve të 27 prillit kishte edhe persona të panjohur tani për tani, dhe në këtë pjesë hetimi do të vazhdojë. Përveç ngritjes së akuzës në Gjykatën Penale, u kërkua që masat e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak të vazhdohen. Prokuroria përmendi kolektivisht 35 persona të lidhur me ndërhyrjen e përgjakshme. Megjithatë, më 28 nëntor të vitit të kaluar, prokuroria njoftoi se 36 vetë ishin duke u ndjekur penalisht për terrorizëm – njoftim që ende qëndron në faqen e internetit të prokurorisë publike.

Bojan Stojanovski

@tn.lajmelokale
@tetovanews