Ballina Aktualitet Lajme “Almiri”, juristët: Shumë parregullsi gjatë procesit gjyqësor (VIDEO)

“Almiri”, juristët: Shumë parregullsi gjatë procesit gjyqësor (VIDEO)

Dy ditë para se të mësohet vendimi gjyqësor për rastin e Almirit, juristët vlerësojnë se në procesin gjyqësor ka pasur parregullsi dhe shkelje të shumta. Avokati, Zvonko Davidoviq vlerëson procedura gjyqësore u shkel që me rikualifikimin e veprës duke marrë për bazë vetëm ekspertizën neuropsikiatrike. Sipas Davidoviq shkeljet e tilla dëshmojnë gjendjen e sistemit juridik në vend.

Një ekspertizë neuropsikiatrike nuk mund të ri kualifikojë veprën. Kjo për arsye se eksperti nuk mund të konstatoj se ka pasur ose jo paramendim. Mund t’i rezultojë se ka pasur vetëdije, vetëdije të zvogëluar ose ka qenë pa vetëdije, por nuk mund të bëj kualifikim të veprës. Ajo është punë e Prokurorit Publik. Vërtet më habisin arsyet pse është ri kualifikuar vepra sepse dallimi mes dy veprave është shumë i madh. Për më tepër, fakti që as dëshmitarët okular nuk janë dëgjuar, jep imazh të keq. Fëmijën nuk mund ta kthej askush por të paktën të ketë vendim të drejtë gjyqësor – tha Zvonko Davidoviq, avokat.

Profesori, Qebir Avizu konsideron epilogu gjyqësor i njëanshëm u paralajmërua që me kthimin e veturës tek familja Iliq, e cila sipas tij paraqet armë me të cilën është kryer vrasje.

Shkelja e parë është se gjithkund ku ndodh vepra penale, mjeti me të cilin kryhet vepra, në këtë rast vetura me doemos merret si prove dhe mbahet derisa përfundon procedura madje mund të mos kthehet asnjëherë. Ai është i vetëdijshëm se me këtë armë tjetrin e privon nga jeta madje këtë e dëshiron. Mjeti i cili përdoret është pak me rëndësi, armë zjarri, veturë, helm ose armë të ftohta, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka pasoja që shkaktohet si në këtë rast me vdekje dhe mënyra se si është bë është me veturë – u shpreh Qebir Avziu, profesor.

Ditë më parë, palët në rastin e Almir Aliut thanë fjalët përfundimtare. Mbrojtja e familjes Aliu kërkoi seancë kryesore për të shqyrtuar ekspertizën psikiatrike dhe neuropsikiatrike të cilat, ashtu siç zbuloi Alsat M janë bërë nga ekspert pa licenca valide, Branisllav Stefanovski dhe Zoja Baninkostova. Nga ana tjetër mbrojtja e Boban Iliq kërkoi lirimin e të akuzuarit pasi që sipas avokatit të Iliq, klienti tij nuk ka kryer vepër penale, por në rrethanat që është gjetur ka vepruar si pasojë e mbrojtjes së domosdoshme, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal nuk përbën vepër penale. Paraprakisht, gjatë procedurës penale gjykata nuk pranoi si dëshmi në procedurë dëshmitarët okularë. Jashtë akuzës mbeti edhe vëllai i Boban Iliq, Bojan Iliq të cilin organi i akuzës dhe mbrojtja e familjes Aliu e kërkuan si dëshmitar në procedurë. Epilogu gjyqësor për rastin e Almir Aliut do të kumtohet me 5 prill, kur edhe do të dihet vendimi për të akuzuarin e parë Boban Iliq i cili ndiqet për “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” dhe për tre të akuzuarit për dhunë, Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri.

Adrian Kerimi

@tn.lajmelokale
@tetovanews