Ballina Aktualitet Lajme Intelektualët, memorandum për statusin e shqiptarëve (VIDEO)

Intelektualët, memorandum për statusin e shqiptarëve (VIDEO)

Një grup intelektualësh shqiptarë kanë hartuar një memorandum me disa kërkesa që sipas tyre kanë për qëllim përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Intelektualët kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës, rregullimin shtetëror unitar, ndryshimin e emrit të shtetit dhe ndërprerjen e çdo lloj keqpërdorimi të mëtutjeshëm nga cilido popull apo shtet të emërtimit “Maqedoni” dhe maqedonasve antikë, statusin e barabartë të gjuhës shqipe, përfshirjen e shoqërisë civile, diasporës, ekspertëve në proceset aktuale politike të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve dhe më gjerë.

Këto kërkesa thuhet se vijnë si rezultat i krizës politike, ekonomike, sociale, kulturore si dhe humbjes së besimit ndaj përfaqësueseve të zgjedhur në pushtet, të cilët të zhytur në korrupsion, kriminalitet, pjesëmarrjen në qeveri e shfrytëzojnë për mbulimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të tyre.

Alsat-M

Në vazhdin ju sjellim edhe tekstin e plotë të memorandumit:

Nisur nga shkelja, nëpërkëmbja e vazhdueshme e të drejtave kolektive të shqiptarëve në IRJM në të gjitha fushat;

Nisur nga përjashtimi i shqiptarëve nga çdo vendimmarrje për çështje të rëndësishme për të ardhmen e IRJM siç janë aktualisht dhe bisedimet për emrin,

Ne, një grup i intelektualëve shqiptarë të poshtënënshkruar, e shohim si të domosdoshëm artikulimin e shqetësimeve tona nëpërmjet këtij:

M E M O R A N D U M I

Pika 1 E konsiderojmë si të domosdoshme ndryshimin e Kushtetutës, rregullimit shtetëror unitar të IRJM, pasi vjen në kundërshtim me realitetin multietnik të vendit dhe ndeshet me normat ndërkombëtare për shtetet multietnike, duke e konsideruar kushtetutën ekzistuese si jo detyruese dhe jo obliguese për shqiptarët për vetë faktin se përcakton IRJM si “shtet kombëtar i sllavomaqedonasve“ ku jetojnë edhe bashkësitë e tjera etnike, në mesin e të cilëve janë dhe shqiptarët.

E konsiderojmë si të pavlerë çdo lloj Referendumi të mundshëm të organizuar në kushtet e rregullimit shtetëror unitar të IRJM. Ne, angazhohemi për një referendum ku shqiptarët do të jenë vendimmarrës. E konsiderojmë ndryshimin e kushtetutës dhe rregullimit shtetëror nga ai unitar në federativ apo konfederativ si të vetmen garanci për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve si: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, i simboleve kombëtare, ndarja e drejtë e buxhetit, arsimi i mirëfilltë, jetë kulturore të denjë, shtrirja e administratës në shërbim të çdo qytetari shqiptar. E denoncojmë si të pavlerë, abuzues, të rrezikshëm çdo lloj integrimi të shqiptarëve në pushtet pa u bërë ndryshimet e sipërpërmendura.

Pika 2 E konsiderojmë të domosdoshëm ndryshimin e emrit të IRJM dhe ndërprerjen e çdo lloj keqpërdorimi të mëtutjeshëm nga cilido popull apo shtet të emërtimit “Maqedoni” dhe maqedonasve antikë. Shqiptarët do të kontestojnë çdo lloj zgjidhje për emrin e ri të IRJM pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë dhe transparente të faktorit shqiptar, zgjidhje që nuk do ta pasqyronte realitetin etnik dhe historik të këtij territori. Gjykojmë se injorimi i të drejtave të shqiptarëve për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së emrit është shkelje flagrante e të drejtave të shqiptarëve. Çdo propozimi për emrin nga ana e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet duhet t’i paraprijë një diskutimi publik. Çfarëdo emri që miratohet, ai, duhet të përkthehet në gjuhën dhe alfabetin shqip. Konsiderojmë se emri i vendit nuk duhet të ketë shtojca: gjeografike dhe sllave. Emri i ardhshëm i IRJM të mos identifikohet me emrin e një etnie. Identiteti etnocentrik i shtetit për shqiptarët ka karakter okupues. Të mos barazohet identiteti shtetëror me identitetin kombëtar të sllavomaqedonasve. Shqiptarëve nuk u pengon identiteti i sllavomaqeonasve, por i pengon identifikimi i emrit të shtetit me emrin e etnisë.

Pika3 Theksojmë domosdoshmërinë e integrimin e shqiptarëve si komb si prioritar, para çdo lloj integrimi tjetër, përfshirë dhe atë të integrimit në BE. Askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë shqiptarëve të drejtën për integrimin e tyre si komb, duke u imponuar integrime të tjera si zëvendësim për këtë, përfshirë këtu edhe BE. Vetë BE është një bashkim i vullnetshëm i shteteve kombe, nga e cila këto shtete kombe mund të largohen kur të duan, gjë që tregon se BE nuk është garanci për integrimin e shqiptarëve dhe eliminimin e kufijve mes tyre. Asgjë nuk justifikon copëzimin kulturor, arsimor, ekonomik të kombit, gjë që krijon vakuum i cili me lehtësi plotësohet nga ndikime të huaja, të rrezikshme për identitetin e shqiptarëve në IRJM.

Pika 4 Refuzojmë fuqimisht që interesi i shqiptarëve të mbetet peng i paqes dhe stabilitetit të rajonit. Të qenit faktor i rëndësishëm për rajonin duhet përkthyer në mundësi për avancim në pozitat negociuese, e jo si dobësi.

Pika 5 Përcaktimi i interesave të shqiptarëve, vendosja e objektivave, thurja e strategjive nuk mund të jetë ekskluzivitet i një njeriu ose i një grushti politikanësh të zgjedhur një herë në katër vite, në rrethana të diskutueshme. Ky proces duhet të jetë transparent dhe nxjerr në pah rolin e pazëvendësueshëm të grupimeve jopolitike, shoqërisë civile, diasporës, ekspertëve etj. Prandaj inkurajojmë përfshirjen dhe angazhimin e tyre në proceset aktuale politike, të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në IRJM e më gjerë.

Pika 6 Denoncojmë fuqishëm dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje kryeministrit sllavomaqedon që të ndërpresë menjëherë keqpërdorimin e dosjeve kriminale për eksponentët e klasës politike shqiptare të përfshirë në afera korrupsioni dhe kriminaliteti, të cilat i shfrytëzon aktualisht për të kontrolluar forcat politike që përfaqësojnë shqiptarët, dhe ato t’i publikojë para opinionit dhe t’ia dorëzojë sistemit të drejtësisë. Vazhdimi i korrupsionit, kriminalitetit, vrasjeve jo vetëm se nxjerrin në dritën e vërtetë klasën politike shqiptare në pushtet dhe jashtë tij, por edhe qasjen dhe qëllimet reale ndaj shqiptarëve të vetë kryeministri sllavomaqedon.

Pika 7 Për ndjesinë ndaj gjuhës së tyre që kanë kombet europiane mjafton të sjellim këtë fakt relevant: Konfederata zvicerane në aspektin e politikave linguistike është një “aparat i çuditshëm: shtatë milionë ba­no­rë flasin 4 gjuhë të ndryshme, me status të barabartë zyrtar: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht.

Madje, dhe për emërtimin e vendit përdoret latinishtja Confoederatio Helvetica, në mënyrë që t’i iket favorizimit të njërës prej katër gjuhëve zyrtare të Zvicrës. Nga kjo zgjidhje linguistike, Zvicra e vogël asgjë nuk humbet ngaqë nuk ka një gjuhë zyrtare të vetme. E, nga ana tjetër, në Maqedoninë po ashtu të vogël, me 2.2 milionë banorë, ku së paku 1/3 e popullatës janë shqiptarë, ka një ligj vetëm për përdorimin e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, por nuk ka një ligj që edhe gjuhës shqipe t’i krijonte një status të tillë të barabartë.

Me këtë Memorandum, ne grupi i intelektualëve shqiptarë, shprehim vendosmërinë tonë për të insistuar në denoncimin në vazhdimësi të çdo lloj politike në dëm të shqiptarëve si dhe kërkesën e llogarisë nga përgjegjësit për këtë politikë. Njëkohësisht shprehim gatishmërinë tonë për angazhimin e pakursyer me të gjitha burimet njerëzore dhe intelektuale për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare në IRJM.

@tn.lajmelokale
@tetovanews