Ballina Aktualitet Lajme Këtë javë takimi i ri Kocias-Dimitrov në Selanik

Këtë javë takimi i ri Kocias-Dimitrov në Selanik

Kontaktet e shpeshtuara të shefave të Diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, në periudhën e fundit, vazhdojnë këtë javë në Selanik.

Të dy diplomatët, të enjten dhe të premten, do të marrin pjesë në forumin katërpalësh në të cilin do të jenë edhe kolegët e tyre nga Bullgaria dhe Shqipëria.

Takimi i fundit Dimitrov – Koxias ishte javën e kaluar në Vjenë në raundin e ri të negociatave për çështjen e emrit, por pas mbledhjes ministrat nuk dhanë kurrfarë komenti. Deklaratë dha vetëm ndërmjetësuesi Methju Nimic, ai tha se të dyja palët mbesin të përkushtuara në zgjidhjen e problemit, pa prezantuar detaje nga bisedat.

Mediat greke transmetuan se mbeten “çështjet e rënda” përkatësisht gjithë përfshirja e përdorimit të emrit që do të dakordohet dhe kërkesa e Athinës për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë. Koxias deklaroi se “pala tjetër duhet ta kuptojë se është e domosdoshme të pajtohet për erga omnes”, që do të mundësojë të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Maqedonia, sërish, shpreson se çështja e emrit do të zgjidhet deri në Samitin e KE-së nga i cili pret datë për fillim të negociatave me BE-në, si dhe ftesë për anëtarësim në Samitin e NATO-s në qershor.

Kryeministri, Zoran Zaev për uikend në radion Evropa e Lirë theksoi se korniza kohore për vendimmarrje është shumë e rëndësishme. Zaev konsideron se procesi duhet të udhëhiqet me kujdes, por edhe të tregohet kreativitet në gjetjen e zgjidhjeve.

“Ndoshta zgjidhja përfundimtare do të jetë e lidhur me votimin e Maqedonisë, si qytetarë, me dhënien e sovranitetit tonë BE-së, në të cilën duam të jemi anëtare dhe atëherë hapet edhe Kushtetuta, ndoshta edhe këtu është zgjidhja, për shkak të asaj që e dini se Greqia kërkon edhe ndryshim të Kushtetutës, për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues. Jam i bindur se kreativiteti do t’i gjejë këto zgjidhje”, tha Zaev.

Theksoi se është optimist se problemi do të zgjidhet deri në samitin e BE-së në qershor.

“Unë jam i bindur, kur tashmë kemi arritur deri në këto shkallë, se është e mundur zgjidhje para Samitit të Këshillit të BE-së”, potencoi Zaev.

Zgjidhje përfundimtare pret edhe bashkësia ndërkombëtare. Pas deklaratës së eurokomisarit Johanes Han se është e mundur marrëveshje në dy javët e ardhshme, dhe kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker në fjalim para Parlamentit grek bëri thirrje çështja e emrit urgjentisht të zgjidhet.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili të premten ishte informuar nga Koxias për rrjedhën e bisedimeve për emrin, deklaroi se dyert e Aleancës janë të hapura për Maqedoninë, sapo të zgjidhet problemi. Ambasadori amerikan në Greqi, Xhefri Pajet, sërish për uikend vlerësoi se është bërë përparim i madh në negociatat dhe shpreson se do të rezultojë me zgjidhje. Përsëriti se SHBA-ja i përkrahë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes që i bëjnë Methju Nimic, kryeministrat Zaev dhe Cipras dhe ministrat e Punëve të Jashtme, Dimitrov dhe Koxias.

Pas takimit të ardhshëm në Selanik, Dimitrov dhe Koxias sërish duhet të takohen edhe javën e ardhshme në Sunio afër Athinës ku do të mbahet konferenca për të ardhmen e Evropës./am/

@tn.lajmelokale
@tetovanews