Ballina Bota Macron: Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë

Macron: Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se duhet të ketë një ofertë të besueshme për Ballkanin Perëndimor, pasi, sipas tij, ekziston rreziku i rritjes së ndikimit të fuqive të huaja në vendet e rajonit.

“Para nesh ka një rrezik gjeopolitik nëse Ballkani Perëndimor lëviz drejt Turqisë ose drejt Rusisë. Ky është rrezik”, tha Macron, raporton rel.

Ai foli para Parlamentit Evropian, ku theksoi nevojën e një pragmatizmi nga ana evropiane kur është në pyetje Ballkani Perëndimor.

Ai tha se mbron një qasje të dyfishtë: përafrimin e rajonit kah Evropa, por edhe reformimin e brendshëm të tij përpara anëtarësimit.

“Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por nuk dua që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj, ndërsa nga nesër do të jenë 27. Ndoshta në disa vite të ardhshme do të vazhdojë me 30, 32 anëtare nën të njëjtat rregulla”, tha Macron.

Ky ka qenë adresimi i tij i parë në Parlamentin Evropian prejse ka marrë detyrën e presidentit të Francës.

Franca është në mesin e atyre vendeve të BE-së, që nuk duan të lidhen me afate kohore sa i përket zgjerimit të bllokut. (TemA)

@tn.lajmelokale
@tetovanews