Ballina Aktualitet Lajme Mogherini përpara vizitës në Ballkan: Momenti për ndryshime

Mogherini përpara vizitës në Ballkan: Momenti për ndryshime

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në prag të vizitës në Ballkan, tha se “është momenti për ndryshime pozitive, për arritjen e një përparimi të pakthyeshëm drejt BE-së”.

Mogherini, javën e ardhshme, do të vizitojë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, ku do të prezantojë raportet e reja vjetore nga Komisioni Evropian për përparimin e këtyre vendeve drejt BE-së.

Në prag të vizitës, Mogherini tha se “Ballkani Perëndimor është Evropë dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së BE-së”.

“Është interes i përbashkët dhe përgjegjësi e përbashkët e BE-së dhe e vendeve të rajonit, për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë. Është momenti për ndryshime pozitive, në mënyrë që të arrihet përparim i pakthyeshëm kah BE-ja”, tha përmes një deklarate Mogherini.

Mogherini së pari do të vizitojë Tiranën, më 17 dhe 18 pril, ndërsa më pas shkon në Shkup, ku do t’i bashkohet edhe komisionari evropian për zgjerim, Johannes Hahn.

Turneun ballkanik, Mogherini do ta vazhdojë me vizitën në Tivat të Malit të Zi dhe do ta përfundojë me ndalesën në Beograd, më 19 prill./shn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews