Ballina Aktualitet Lajme Nis “lufta” për guvernatorin e ri të Bankës Popullore

Nis “lufta” për guvernatorin e ri të Bankës Popullore

Ka filluar beteja për emrin e ri të guvernatorit të BPM-së. Presidenti Ivanov përsëri e propozon Dimitar Bogovin për guvernator.

Nga kabineti i presidentit thonë se Ivanov dy muajt e kaluar ka realizuar konsultime me faktorë relevant nga sfera e financave dhe se për propozimin është bazuar në cilësinë dhe profesionalizmin e personalitetit.

Propozimi për Bogovin tashmë është deponuar në Kuvend.

Kabineti i presidentit Gjorge Ivanov

“…Sidomos është konstatuar arritja dhe mbajtja e stabilitetit të çmimeve, rezervave devizore, mbajtjen e kursit devizor fiks të denarit kundrejt euros dhe shfrytëzimin e operacioneve në tregun e hapur dhe rezervën e domosdoshme…”

Por, kush do të ulet në postin e guvernatorit do të varet nga shumica parlamentare pasi i njëjti zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Nga BDI për Alsat M shprehen se nuk e mbështesin propozimin e Ivanovit.

BDI

“Fatkeqësisht, Ivanov po e vështirëson kohabitacionin muajt e fundit në karrierën e tij politike dhe nuk ofron kontribut konstruktiv shtetëror në këto momente kyçe për shoqërinë tonë”

Ndërsa, LSDM dhe VMRO-DPMNE edhe më tej nuk kanë qëndrim rreth propozimit

LSDM

“LSDM do t’i shqyrtojë argumentet dhe ditët në vijim do ta shpalos qëndrimin”.

VMRO-DPMNE

“VMRO-DPMNE në takimet e radhës të trupave partiak do ta shqyrtojë dhe analizojë propozimin e presidentit Ivanov, pas çka do të prononcohet”.

Ndryshe, Bogov u zgjodh për guvernator në muajin mars të vitit 2011 me 62 vota të koalicionit VMRO – BDI me mandat prej 7 viteve.

Sipas informatave të Alsat M, partneri i koalicionit qeveritar BDI-ja për guvernator të ardhshëm favorizon Fatmir Besimin, këshilltarin aktual të kryeministrit Zaev.

A do të ketë konsensus mes opozitës dhe pushtetit për emërimin e guvernatorit, do të dihet më së voni deri më 21 maj, deri kur vazhdon mandati i Bogovit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews