Boban Iliq nuk e pranon as akuzën për veprën penale “aksident trafiku me pasoja vdekje”…
Ai në gjykatë tha se ndihet i pafajshëm edhe për akuzën e rikualifikuar për incidentin ku humbi jetën djaloshi 4 vjeçar, Almir Aliu.
Avokati i Boban Iliqit, Stevo Pavlevski, theksoi se Iliq veprën nuk e ka kryer me paramendim, por ka qenë i nxitur nga familjarët e vogëlushit, Sedat Aliut, Abdullah Aliut dhe Sami Demirit, prandaj kërkoi lirimin e klientit të tij.
“Kërkova lirimin e tij sepse dëshmitë janë të forta, të palëkundura dhe nga këto dëshmi vërtetohet nevoja për mbrojtje ekstreme e Boban Iliqit. Është e drejtë e Boban Iliqit që të mbrohet çdoherë kur sulmohet. Shteti duhet të mbrojë qytetarët dhe kjo është e drejtë natyrore e njeriut”,- u shpreh avokati, Stevo Pavlevski.
Nga ana tjetër, avokatët e familjes Aliu kërkuan seancë diskutimi, ku gjyqi do të duhej të merrte parasysh lëshimet e Prokurorisë Publike, e cila ka pranuar si dëshmi në procedurë ekspertiza të ekspertëve pa licencë.
Avokati i familjes Aliu thekson se janë bërë një sërë shkeljesh gjatë udhëheqjes së procedurës hetimore si dhe analizë e provave materiale.
Ai ka theksuar se përveç se është bërë gabim gjatë rikualifikimit të lëndës me qëllim që t’i zbutet dënimi kryerësit të veprës penale, Boban Iliqit, tre nga katër ekspertët të cilët i kanë kryer ekspertizat kanë pasur licenca me afat të skaduar.
“Prokuroria ka vepruar në mënyrë selektive duke mos i pasur parasysh lëshimet gjatë procedurës hetimore. Prokurorja përgjegjëse nuk ka treguar gjithashtu kujdes që t’i kontrollojë licencat të cilave u ka skaduar afati. Duhet të hapet seanca kryesore sipas Ligjit për procedurë penale.
Këto rrethana të paqartësuara, të qartësohen në mënyrën e duhur! Ose të drejtohet zyrtarisht deri tek Ministria e Drejtësisë, ose të angazhojë prokurorin publik, si përfaqësues i akuzës, të sigurojë dëshmi nëse ekspertët kanë ose jo licenca me afat të skaduar”- theksoi avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq.
Avokati Alispahiq gjithashtu kërkoi që të tërhiqet akuza ndaj familjarëve, Sedat Aliut, Abdulla Aliut dhe Sami Demirit, të cilët akuzohen për dhunë ndaj Bojan dhe Boban Iliqit.
Vendimi përfundimtar për rastin e Almir Aliut do të kumtohet të enjten në Gjykatën e Kumanovës.
Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor 2016 në Kumanovë si pasojë e goditjes me makinë nga i akuzuari, Boban Iliq. Ai fillimisht u akuzua për “vrasje”, por më pas prokurorja, Suzana Kusigerska, rikualifikoi veprën duke u thirrur në ekspertizën neuropsikiatrike, e cila si dëshmi në procedurë është marrë pas ngritjes së akuzës./mrt/