Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka vendosur sanksione kundër 38 individëve dhe kompanive ruse, duke thënë se është përgjigje ndaj “aktiviteteve keqdashëse” të qeverisë ruse kundër demokracive perëndimore në Krime, Ukrainë, Siri dhe mbarë botën. Rusia hedh poshtë akuzat se është përfshirë në aktivitet keqbërës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit Cindy Saine njofton rreth këtij vendimi, i cili mund të thellojë përçarjen mes Uashingtonit dhe Moskës.
Në konferencën për shtyp dje në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha se Shtetet e Bashkuara ende dëshirojnë të bashkëpunojnë me Rusinë, por kjo varet nga Moska.
“Pra, do të donim të shihnim ndryshime në sjelljen e rusëve. Ne duam të vazhdojmë të bisedojmë dhe të punojmë me ta për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë” tha ajo.
Disa ligjvënës amerikanë dhe ekspertë të politikës së jashtme e mirëpritën veprimin e Departamentit amerikan të Thesarit.
“Vendimi prek disa nga oligarkët më të njohur në Rusi, njerëz të cilët janë shumë afër Putinit, dhe mendoj se këto vendime u morën me shpresën se do të ndikojnë për të ndryshuar sjelljen e Rusisë,” thotë analisti William Pomeranz.
Disa analistë mendojnë se sanksionet kundër pjesëtarëve të rrethit të brendshëm të Putinit, duke përfshirë dhëndrin dhe truprojen e tij, janë vonuar shumë.
“Këto janë veprime që ndoshta duhej ishin bërë muaj më parë. Pyetja është, ngaqë presidenti Trump ka vendosur të mbajë marrëdhënie pozitive me Putinin, madje edhe duke e përgëzuar atë, pse zgjodhi kjo administratë për ta marrë këtë vendim tani?” pyet Marik Simakovsky i Këshillit Atlantik.
Një nga individët e përfshirë në listë shprehu befasi:
“Unë kam qenë në Shtetet e Bashkuara shumë herë. Për sa i përket faktit se kanë vendosur sanksione, kjo nuk do të thotë se nuk do të komunikojmë me ta” tha Nikolai Patrushev, Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.
Ekspertët thonë se tani që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë veprime të ashpra ndaj Moskës, ata presin të shohin nëse vendet e Bashkimit Evropian do të ndjekin shembullin amerikan.