Ballina Aktualitet Lajme Shfaqet problemi me mbeturinat inerte në Tetovë

Shfaqet problemi me mbeturinat inerte në Tetovë

Në këtë periudhë edhe rritet sasia e hedhjes së këtyre mbeturinave, prandaj edhe do të ketë një aksion nga data 10 prill e deri më 10 maj, ku qytetarët do të kenë mundësi që të thirrin në ndërmarrje për të hedhur këtë lloj të mbeturinave

Urim HASIPI

Tetovë, 6 prill – Mbeturina prej plastike, kartonë, stiropor, goma, mbetje të materialeve tekstile, mbetje të drunjve… janë disa nga mbeturinat inerte që vërehen rreth e rrotull kontejnerëve në disa lagje të Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Krahas mbeturinave që janë hedhur në kontejner, mbeturina tjera janë hedhur poshtë tyre, duke dhënë imazh të keq edhe për këtë pjesë të qytetit, por edhe duke kundër erë të rëndë.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë thonë se në orët e pasdites do të intervenohet për largimin e tyre. Sipas tyre, në këtë periudhë edhe rritet sasia e hedhjes së këtyre mbeturinave, prandaj edhe do të ketë një aksion nga data 10 prill e deri më 10 maj, ku qytetarët do të kenë mundësi që të thirrin në ndërmarrje për të hedhur këtë lloj të mbeturinave.

“Do të intervenohet në largimin e të njëjtave edhe pse ne si ndërmarrje disa herë kemi thënë se këto mbeturina nuk janë në menaxhimin tonë. Por për shkak se të njëjtat hidhen afër kontejnerëve, jemi të detyruar ti largojmë. Po ashtu, dëshiroj që tu apeloj qytetarëve se duke filluar nga java e ardhshme, të gjithë ata që kanë mbeturina të kësaj natyre, mund të na njoftojnë neve si ndërmarrje dhe ne do të shkojmë do ti bartim të njëjtat.

Aksioni do të zgjasë një muaj prandaj edhe qytetarët lirisht mund të na informojnë që brenda këtij harku kohor, ne të bartim këta mbeturina”, deklaroi Xhelal Ceka, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetova. Sipas tij, në këtë periudhë në mënyrë enorme rritet sasia e mbeturinave që grumbullohen gjatë ditës. “Aktualisht, në Tetovë grumbullojmë rreth 250 ton mbeturina brenda ditës. Kjo sasi pritet të rritet nga dita në ditë në sezonin që pason”, sqaron Ceka.

Në mungesë të deponisë përkatëse për hedhjen e mbeturinave ndërtimore, në Tetovë dhe në rrethinë këto mbeturina hidhen në deponi të egra. Qytetarët gjatë ndërtimeve që kryejnë nëpër pronat e tyre, mbetjet nga këto materiale i nxjerrin pranë kontejnerëve në mungesë të një deponie të veçantë për këtë dedikim.

Krahas kësaj, tashmë disa vite është krijuar edhe shprehi që mbeturinat e këtilla të hidhen edhe në vende periferike. Në Komunën e Tetovës theksojnë se zgjidhje më e mirë është që të ketë një deponi të përbashkët për të gjithë komunat, ku do të hidheshin mbeturinat e materialeve ndërtimore. Nga ana tjetër, shumica e komunave të Pollogut nuk kanë deponi të veçanta për hedhjen e mbeturinave nga materialet ndërtimore. Madje, lokacion të veçantë nuk ka as Komuna e Tetovës.

Nga ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë thonë se janë në hall me këtë dukuri, sepse materialet ndërtimore hidhen në vendet tek mbeturinat e zakonshme dhe më këtë, edhe dëmtohen kontejnerët, por edhe haset në vështirësi gjatë transportit.

Drejtori Ceka ka apeluar deri tek qytetarët që të kenë kujdes me deponimin e materialeve të forta ndërtimore, të mos i hedhin ato në kontejner pasi kjo ndërmarrje nuk është e obliguar të dislokojë këto mbeturina. “Kërkojmë nga qytetarët të hedhin në vende adekuate mbeturinat e forta ndërtimore, në të kundërtën – Inspektorati komunal i Tetovës do të marrë masa sanksionuese kundrejt të gjithë atyre që hedhin mbeturinat e ngurta në vende joadekuate”, tha ai. (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews