Pjesa më e madhe e europianëve besojnë se vendet e tyre janë më të polarizuara se 10 vjet më parë, dhe 47 për qind i shohin shoqëritë e tyre si më pak tolerante.
Sondazhi i porositur nga BBC, realizuar online nga Ipsos Mori analizon 27 vende dhe sugjeron se 66 për qind e njerëzve në Europë ndjejnë se kombet e tyre janë “më të ndarë”, përqindja më e madhe në të gjithë botën.
Politika del si shkak kryesor i tensionit, në shkallë botërore, duke u identifikuar nga rreth 44 për qind e të gjithë 19 mijë e 428 të anketuarve.
Gjysma e britanikëve citojnë ndasi midis emigrantëve dhe vendasve. Ky ishte burimi më i zakonshëm i ndasive sociale në Britani, ndjekur nga ndryshimet në besim, 47 për qind, etnia, 41 për qind dhe pikëpamjet politike, 40 për qind.
Rezultatet në nivel botërore tregojnë se tre të katërtat e të pyeturve bien dakord se shoqëria ku ata jetojnë ka ndasi, ndërsa një e treta thonë se është shumë e ndarë.
Frakturimi duket se perceptohet se po thellohet, me një shumicë të qartë që thotë se vendi i tyre është më i polarizuar se dhjetë vjet më parë. Vetëm 16 për qind besojnë se ndasitë janë më pak akute në ditët tona.
Sondazhi mblodhi të dhëna nga 11 vende europiane: Belgjika, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Polonia, Spanja, Suedia, Serbia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në Serbi, perceptimi për ndasitë ishte më i fortë, me 93 për qind e të pyeturve që thonë se shoqëria e tyre është ose shumë, ose mjaft e ndarë.
Gjithë Europa shfaq të njëjtin trend, me të paktën tre nga katër të anketuar që thonë se ka mjaft ndasi.
Sipas realizuesve të projektit, duket se europianët kanë bindjen se ndasitë po rriten. “Kjo mund të jetë reflektim i klimës politike dhe lëvizjes drejt së djathtës që është parë në disa pjesë të kontinentit, ose të paktën klima politike mund të jetë rezultati i ndjesisë së tensionit që përjetojnë njerëzit. Të dyja janë të lidhura”.
Ashtu si në Britani, të anketuarit në Gjermani dhe në Francë shpesh identifikojnë ndasi midis emigrantëve dhe vendasve.
“Tensionet e mbështetura mbi shtresën dhe të ardhurat ekzistojnë ende. Në Britani, për shembull, rreth një e treta shohin tension midis të pasurve dhe të varfërve, dhe në Hungari më shumë njerëz shohin tension midis të pasurve dhe të varfërve sesa lidhur me emigrantët”.
Situata në Serbi
Rreth 80 për qind e popullsisë në Serbi janë të krishterë ortodoksë, kështu që nuk ka shumë terren për ndasi etnike apo fetare. Por, Serbia mban një rekord të pabarazisë në të ardhura midis vendeve europiane, sipas indeksit Gini të vitit të kaluar, që mat pabarazinë.
Njëçereku i popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë, ndërsa 20 për qind e më të pasurve fitojnë 10 herë më shumë sesa një e pesta e varfër. Në BE, ky nivel është pesë me një. Diferenca midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë është zgjeruar edhe më shumë gjatë pesë vjetëve të fundit.
Politikisht, ka ndasi të forta për Kosovën, e cila fitoi pavarësinë në vitin 2008. Pranimi i pavarësisë së territorit (pa e njohur formalisht) është parakusht për pranimin e Serbisë në BE.
Por, ndërsa pjesa më e madhe e serbëve kërkojnë anëtarësimin në BE, ata po ashtu dëshirojnë edhe kthimin e Kosovës me Serbinë. Kështu që debati është gjithnjë i nxehtë.
Sondazhi nxjerr edhe prirje pozitive
Sondazhi, po ashtu, nxjerr disa prirje pozitive. Dy të tretat e të anketuarve bien dakord që njerëzit kudo në botë kanë më shumë të përbashkëta sesa ndryshime.
“Vetëm një numër i vogël personash mendojnë se përzjerja me njerëz nga rrethana, kultura dhe pikëpamje të ndryshme, shkakton konflikt”, thonë autorët.(tesheshi)