Ballina Teknologji Themeluesi i Facebook dëshmon në Kongresin amerikan

Themeluesi i Facebook dëshmon në Kongresin amerikan

Rrjeti social Facebook duket se ka luajtur një rol kyç në fushatën dhe zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Në dëshminë e tij të parë në Kongresin amerikan, shefi ekzekutiv Mark Zuckerberg ka pranuar përgjegjësinë për keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve dhe ka pohuar ndërhyrjen ruse.

Shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, ka dëshmuar të martën për herë të parë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Këtë herë, 33-vjeçari kishte ndërruar bluzën e tij ngjyrë gri dhe xhinset me një kostum blu të errët dhe një kravatë bojëqielli. Ai u shfaq i zymtë teksa eci drejt dhomës së seancës, ku e prisnin 44 senatorë, por edhe disa manifestues që ngritën parulla të tipit “Mbroni privatësinë tonë”, apo “Mjaft na përgjuat”.

Në fjalën e tij para nisjes së seancës së pyetjeve, Zuckerberg foli qartë në lidhje me skandalin ku është përfshirë edhe kompania “Cambridge Analytica”:

“Është faji im. Unë e nisa Facebook-un, unë e menaxhoj dhe unë jam përgjegjës për atë që ndodh”, tha ai.

Milioneri i ri u shpreh i vetëdijshëm se kompania kishte dështuar në mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve të rrjetit social.

“Është e qartë se nuk bëmë sa duhet për të parandaluar diçka të tillë dhe e njëjta gjë vlen për lajmet e rreme, ndërhyrjen e jashtme në zgjedhje dhe fjalimet e urrejtjes”, tha Zuckerberg.

I pyetur se çfarë po bën për të parandaluar ndërhyrjen e aktorëve të huaj në zgjedhjet amerikane, ai u përgjigj se kjo është një nga prioritetet kryesore të tij.

“Kjo është një nga prioritetet e mia kryesore. Ajo për të cilën më vjen keq është se u treguam të ngadaltë në identifikimin e operacioneve ruse në vitin 2016”, tha Zuckerberg.

Shefi i Facebook konfirmoi edhe marrjen në pyetje të stafit të tij nga ekipi i hetuesve të skandalit “Russiagate” në lidhje me ndërhyrjen ruse, por ai vetë jo. I pyetur nëse punonjësit e Facebook ishin përfshirë me kompaninë “Cambridge Analytica” gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, Zuckerberg tha se nuk e dinte me saktësi, por tha se ata kishin ndihmuar.

“Ajo që di është se ne ndihmuam fushatën e Trump duke ofruar mbështetje, njësoj siç bëjmë me të gjitha kompanitë e tjera”, tha ai./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews