“Freedom House” e rendit Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve ku liria e mediave është pjesërisht e lirë. Në Ballkan, si shtete ku mediat janë të lira konsiderohen Kroacia dhe Serbia.
Ndërsa në nivel global, raporti mbi lirinë e shtypit ngre alarmin se pas medias traidicionale, në shënjestër të liderëve që duan të kontrollojnë gjithçka janë vënë rrjetet sociale.
“Feedom House” vlerëson në raportin më të ri për lirinë e medias se ajo po përballet me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha, si dhe në shtetet opresive, ku autoritetet po përqendrojnë përpjekjet e tyre tek mediat sociale dhe platformat e tjera në internet, pas goditjes së pavarësisë së mediave tradicionale.
“Udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin.
Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyeshëm politik”, deklaroi Michael J. Abramowitz, President i “Freedom House”.
Në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Medias, “Freedom House” ka analizuar gjendjen duke u mbështetur në raportet e tij për Lirinë në Botë, Vendet në Tranzicion dhe Lirinë në Internet, sipas së cilës pavarësia e medias është nën trysni në çdo rajon të botës.
Po ashtu, gazetarët e përkushtuar ende luajnë rol thelbësor në një mjedis ende më armiqësor.
Në raport theksohet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitin 2017, pasi parimet themelore të saj, përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit, u sulmuan në mbarë botën.
71 vende pësuan rënie në të drejtat politike dhe në liritë civile, me vetëm 35 që shënuan përparim, duke vulosur vitin e 12 radhazi të reduktimit të lirisë globale.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga roli tradicional si kampion dhe një shembull i demokracisë në mes të një rënieje të përshpejtuar të të drejtave politike dhe lirive civile.
Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mes vendeve jo të lira.
Shqipëria dhe Kosova radhiten tek vendet pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten tek vendet e lira./TCH/