Ballina Aktualitet Lajme “Emri”, takimi Zaev-Cipras ngjallë shpresat për zgjidhje të shpejtë

“Emri”, takimi Zaev-Cipras ngjallë shpresat për zgjidhje të shpejtë

Pas raundit të djeshëm të negociatave mes kryediplomatëve dhe ndërmjetësit të OKB-së, çështja e emrit kalon në nivelin më të lartë, atë të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, të cilët do të takohen më 17 maj në Sofje.

Ndonëse pas bisedimeve të djeshme nuk u zbuluan detaje nëse dallimet ishin tejkaluar ose jo, sipas analistëve deklarata e shkurtër e ndërmjetësit Metju Nimic dhe paralajmërimi i takimit mes kryeministrave paraqet sinjal se kontesti shumëvjeçar është afër zgjidhjes

Deklarata e Nimicit mund të komentohet në dy anë. Konkretisht asgjë nuk është thënë, megjithatë është bërë hap i madh përpara, si një përgatitje deri në takimin e ardhshëm të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë.

Mendoj se jemi në fund të zgjidhjes dhe në të vërtetë jemi të lodhur edhe ne edhe pala greke.

Veçanërisht ky popull ka çështje edhe më të rëndësishme, rreth problemit të të rinjve, punësimit, ndaljes së migrimit të të rinjve -deklaroi Llazar Llazarov, njohës i çështjeve ndërkombëtare.

Mendoj që ka pasur negociata produktive, ndoshta ka edhe ndonjë marrëveshje preliminare të arritur mirëpo është e natyrshme që kjo marrëveshje nuk është bërë dje publike, por është lënë në nivel më të lartë.

Ndryshe vetë Nimici nuk do ta kishte paralajmëruar takimin ndërmjet dy kryeministrave – tha Bekim Kadriu, profesor universitar.

Ndërkohë ministritë e jashtme të të dy vendeve akoma nuk kanë përgënjeshtruar informatat që qarkullonin dje në mediat greke, ashtu siç rëndom reagonin ndaj spekulimeve.

Ekspertët për Alsat komentuan se është real skenari që marrëveshja të arrihet tani dhe të realizohet për dy vjet; që pala maqedonase ta ndryshojë Kushtetutën dhe ta përdor emrin e ri brenda vendit ndërsa pala greke të lejojë integrimin tonë në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në.

Gjithsesi ne jemi dy vende fqinje mike dhe pres zgjidhje pozitive nga të dyja palët.

Nëse nuk merren vesh për ndonjë çështje mendoj se tani Maqedonia mund të hyjë me referencën e përkohshme në NATO.

Dhe më tutje derisa presim datë për fillim të negociatave me BE-në, gradualisht, hap pas hapi të bisedohet për çështje të tjera dhe të definohen. Megjithatë të mos ndërpritet procesi – u shpreh Llazar Llazarov, Njohës i çështjeve ndërkombëtare.

Afati dy vjeçar është parë i arsyeshëm që do t’i mundësonte RM-së të bëjë ndryshimet kushtetuese, ndoshta të organizohet edhe referendumi.

Gjithsesi implementimi i kësaj marrëveshjeje në këtë afat dy vjeçar nuk duhet të pengojë RM-në të anëtarësohet në NATO dhe të bëjë negociata me BE-në – deklaroi Bekim Kadriu, Profesor universitar.

Edhe sipas mediave greke takimi i djeshëm i riktheu shpresat për zgjidhjen e emrit, i afroi pozicionet e palëve dhe i hapi rrugë fazës përfundimtare, takimit të kryeministrave nga i cili pritet të merren vendimet përfundimtare.

Takimi Zaev-Cipras në Sofje në kuadër të Samitit të vendeve anëtare dhe atyre kandidate për në BE do të jetë i dyti me radhë, pas atij në Davos të Zvicrës./am/

@tn.lajmelokale
@tetovanews