Ballina Aktualitet Lajme Gjykata shfuqizon masën “arrest shtëpie” për ish-ministrin Tahiri

Gjykata shfuqizon masën “arrest shtëpie” për ish-ministrin Tahiri

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë ka shfuqizuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendimi është marrë gjatë seancës së sotme, ndërsa pas këtij vendimi ish-ministri Tahiri do të hetohet pa masë sigurie, ka konfirmuar në një prononcim për mediat avokati i tij, Maksim Haxhia.

Kujtojmë se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë vendosi më 12 maj të këtij viti masën e sigurimit personal “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, vendim i marrë disa ditë pasi ai dorëzoi mandatin e deputetit.

Vitin e kaluar Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Tahirit në kuadër të hetimeve ndaj tij nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas saj, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”. Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër kërkesës për arrestimin e ish-ministrit Tahiri.

Kërkesa në fjalë erdhi pas publikimit të një dosje me përgjime nga autoritetet italiane, të disa personave që akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, ku përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.

Saimir Tahiri ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme në periudhën 2013- 2017, ndërsa në zgjedhjet e 25 qershorit të vitit të kaluar u zgjodh si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews