Ballina Bota “Kim Jong-un zotohet për samitin me Trump dhe denuklearizimin e Koresë”

“Kim Jong-un zotohet për samitin me Trump dhe denuklearizimin e Koresë”

Udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un rikonfirmoi angazhimin e tij për të “përmbushur” denuklearizimin e gadishullit Korean, si dhe për takimin e planifikuar me presidentin amerikan Donald Trump. Të paktën kështu shprehet presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in.

Në Uashington, presidenti amerikan Trump la të kuptohej se përgatitjet për samitin e 12 qershorit me Kim Jong-unin ishin duke vijuar rregullisht, pavarësisht se ai anuloi takimin gjatë javës së fundit.

Moon dhe Kim ranë dakord gjatë një takimi të papritur të mbajtur gjatë së shtunës se, samiti i mundshëm mes Koresë së Veriut dhe Amerikës duhet zhvilluar.

“Udhëheqësi Kim dhe unë kemi rënë dakord që samiti i 12 qershorit duhet zhvilluar dhe duhet të jetë i suksesshëm, ndërsa objektivi ynë për denuklearizimin e gadishullit Korean dhe për një regjim paqësor nuk duhet ndalur”, tha Moon gjatë një konference për shtyp në Seul.

Takimi ishte i fundit i një serie kthesash dramatike diplomatike përgjatë kësaj jave, mbi perspektivën e samitit të pazakontë mes një presidenti në detyrë të Amerikës me një udhëheqës koreano-verior, si dhe sinjali më i fortë deri më tani se dy udhëheqësit koreanë po përpiqen ta mbajnë takimin sërish mbi shinat e duhura.

Një deklaratë e agjencisë koreano-veriore të lajmeve “KCNA” bënte të ditur se Kim kishte shprehur “vullnetin e tij të palëkundur” mbi takimin e mundshëm me Trumpin siç ka qenë planifikuar./TCH/

@tn.lajmelokale
@tetovanews