Ballina Bota Maduro merr edhe një mandat tjetër 6-vjeçar

Maduro merr edhe një mandat tjetër 6-vjeçar

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, fitoi një tjetër mandat 6-vjeçar pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita dhe pretendimeve të shumta për manipulim votash.

Vetëm 46 % e elektoratit morën pjesë në zgjedhje, ndërsa vendi po përballet me mungesë të theksuar ushqimesh dhe si pasojë e krizës ekonomike ka detyruar me mijëra persona të braktisin vendin.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 67% e tyre votuan për Presidentin Maduro. Ky i fundit, pas publikimit të rezultatit, tha se opozita dhe bota e kishin nënvlerësuar.

Në fakt, pritej një fitore e Maduros, duke qenë se opozita nuk mori pjesë në zgjedhje, ndërsa qeveria e tij njihet për manipulimin e votës popullore. Maduro konsiderohet si personi përgjegjës për krizën e thellë në të cilën është zhytur Venezuela, megjithëse ai fajëson opozitën dhe armiqtë e huaj si SHBA.

Kandidati i vetëm opozitar në zgjedhje ishte Henri Falcón, i cili hodhi poshtë rezultatin. Falcon i përkiste dikur socialistëve të Maduros, por më pas kaloi në radhët e opozitës, me të cilën së fundmi pati mjaft debate për shkak të vendimit të tij për të marrë pjesë në zgjedhje.

Këto të fundit nuk patën as rëndësinë më të vogël për shumicën e venezuelianëve, të cilët luftojnë çdo ditë për të ushqyer veten dhe familjet, Ndërsa shumë prej tyre kanë zgjedhur të ikin nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews