Ballina Bota Ministri gjerman i BE-së, tërbon italianët me deklaratat e tij

Ministri gjerman i BE-së, tërbon italianët me deklaratat e tij

Komisioneri për Buxhetin Oettinger ka kritikuar në një intervistë me DW fituesit e zgjedhjeve në Itali. Kritikat se tregjet në Itali do të sinjalizojnë se cili duhet të votohet, kanë shkaktuar reagime të shumta.

“Ne i besojmë presidentit të Italisë, i cili ka paralajmëruar partnerët e koalicionit të djathtë se duhet t’i plotësojnë obligimet që rrjedhin nga anëtarësia në Bashkimin Evropian dhe Eurozonë”, thotë Komisioneri i BE për Buxhetin Günther Oettinger, në një intervistë dhënë Deutsche Welles. Njëkohësisht në Bruskel ekziston edhe besimi ndaj qeverisë teknike.

Oettinger nuk ka frikë nga mundësia që partitë populiste në zgjedhjet e ardhshme mund të forcohen edhe më shumë dhe se kjo do të mund të rezultonte me daljen e Italisë nga Eurozona, e madje edhe nga BE. “Shqetësimi dhe pritja ime është që tregjet javët e ardhshme mund të sinjalizojnë shumë qartë se populistët e djathtë dhe të majtë nuk duhet të votohen.”

I zhgënjyer në reagimin e tij ndaj kësaj deklarate ka qenë lideri i partisë Lega, Matteo Salvini, i cili në Twitter shkruan: “Çmenduri, në Bruksel nuk kanë pikë turpi. Komisioneri i Buxhetit, gjermani Oettinger, thotë se tregjet në Itali do të tregojnë se kush duhet të votohet. Nëse ky nuk është një kërcënim… unë nuk kam frikë.” Ai kërkoi dorëheqjen e Oettingerit.

Ngjashëm i zhgënjyer ka reaguar edhe shefi i Lëvizjes Pesë Yje, Luigi Di Maio: “Këta njerëz po e trajtojnë Italinë si një koloni verore, ku vijnë dhe bëjnë pushime.”

Edhe Komisioneri i BE Jean-Claude Juncker dhe shefi i Këshillit të Evropës Donald Tusk janë distancuar nga Oettingeri. Juncker është “informuar për vërejtjet jo të mençura”, tha zëdhënësi i tij. “Italianët dhe vetëm italianët mund të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre dhe askush tjetër”, shkruan Tusk në Twitter. “Apeli im ndaj të gjitha institucioneve të BE është – ju lutem respektoni zgjedhësit. Këtu jemi për të shërbyer, për t’u shërbyer atyre, dhe jo për të përcaktuar se çfarë duhet të bëjnë.”

Oettingeri vet ka kërkuar falje për këto deklarata. “Nuk ka qenë qëllimi im që të jem mosrespektues”. Ai tha se respekton në tërësi vullnetin e zgjedhësve – të majtë, të mesit apo të djathtë. “Italia si një nga vendet themeluese të BE luan një rol të rëndësishëm në procesin e integrimeve evropiane dhe shpresoj se do të vazhdojë këtë rrugë.”

Në intervistën për DW, Oettinger ishte optimist se Italia do të mbetet një prej paguesve neto në BE, pra një vend që paguan më shumë sesa merr. Nga kjo përfitojnë sipërmarrjet dhe tregu i brendshëm.

BE fuqizohet për shkak të Trumpit, Erdoganit dhe Brexitit

Komisioneri i BE thotë se autoriteti i BE po shtohet tek popullata dhe madje dukshëm: “Kjo ka të bëjë me Erdoganin, Trumpin dhe Brexitin. Njerëzit e kanë vërejtur se ekipi i BE është i aftë të veprojë.”

Pikërisht në prag të krizës së mundshme tregtare me SHBA, përparësitë e bashkëveprimit në BE shihen shumë qartë: “Çfarë peshe do të kishte një vend i vetëm si Italia apo Gjermania? Por me një treg të përbashkët mund të reagojmë edhe ndaj Trumpit.” Edhe kritikët e BE duhet të pranojnë këtë. Oettinger thotë se “nuk është e pranueshme që qeveritë e vendeve anëtare t’i nacionalizojnë sukseset dhe evropianizojnë problemet.”

Evropa duhet të jetë e bashkuar ndaj Trumpit

Ndonëse në raportet me qeverinë e Trumpit ka shumë probleme, SHBA mbetet partneri dhe miku më i ngushtë i Evropës. “Shumica dërmuese e 330 milionë banorëve të SHBA ka qëndrim miqësor ndaj Evropës. Nëse Trumpi i fut doganat ndëshkuese për disa prodhime, ne duhet të jemi të bashkuar, pavarësisht se për cilin vend dhe cilat prodhime bëhet fjalë. Nëse preken makinat, duhet të ndihmojmë. Nëse preken prodhimet nga Bordeaux apo nga Italia, duhet të jemi të bashkuar dhe të veprojmë së bashku”, thotë ai.

DW

@tn.lajmelokale
@tetovanews