Ballina Bota OKB diskuton për Kosovën, Guterres fton politikanët të vijojnë dialogun

OKB diskuton për Kosovën, Guterres fton politikanët të vijojnë dialogun

Kombet e Bashkuara do të diskutojnë sot raportin tre-mujor të Sekretarit të Përgjithshëm mbi punën e misionit të OKB në Kosovë. Sipas raportit, Kosova këshillohet të vijojë dialogun me Serbinë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes palëve. Raporti evidenton shqetësimet lidhur me përparimin e ngadaltë të hetimit mbi vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, si dhe për sjelljen e treguar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit për arrestimin e Marko Gjuriç.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin tre-mujor të Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës Antonio Guterres, për punën e UNMIK-ut në Kosovë.

Në këtë raport që mbulon periudhën nga 17 janari deri në 15 prill, Guterres fton udhëheqësit në Prishtinë e Beograd të vazhdojnë punën për të trajtuar çështje të kontestuara përmes dialogut dhe vullnetit politik për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB cilëson si shqetësues sjelljen e Policisë së Kosovës gjatë operacionit për arrestimin e Marko Gjuriç.

Ndaj Guterres kërkon një hetim themelor për ngjarjen, si dhe ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese nëse rezulton se gjatë këtij aksioni nuk janë respektuar të drejtat e njeriut.

Me shqetësim nga Guterres shihet edhe përparimi jo i shpejtë i hetimit sa i takon vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç, në veri të Kosovës.

Raporti gjithashtu përshëndet ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, që tregon përkushtimin e vendit për perspektivën europiane./oranews/

@tn.lajmelokale
@tetovanews