Ballina Bota Analiza ANALIZA: “Në BE, grindjet arrijnë pikën e vlimit”

ANALIZA: “Në BE, grindjet arrijnë pikën e vlimit”

Konflikti për emigracionin në Bashkimin Europian duket se “është derdhur jashtë tenxheres” ndërsa Italia dhe Franca kanë shkëmbyer fyerje, e Austria kërkon veprime. Problemet janë zgjeruar edhe brenda koalicionit qeverisës në Gjermani.

Franca dhe Italia kanë shkëmbyer fyerje, grindja është zgjeruar në koalicionin qeverisës në Gjermani dhe Austria ka bërë thirrje për një “aks të të vullnetshmëve”për të ndërmarrë veprime ndërsa konflikti që zjente prej kohësh për atë sesi duhet menaxhuar emigracioni i paligjshëm, më në fund ka arritur pikën e vlimit.

Duke hedhur poshtë kritikat franceze për politikat e saj të emigracionit, Italia thirri ambasadorin francez dhe anuloi një takim të planifikuar midis ministrit italian të Ekonomisë dhe homologut të tij në Paris.

Pati raportimet se kryeministri Giuseppe Conte po merrte në konsideratë shtyrjen e një vizite në Paris, të premten për bisedime me Emmanuel Macron, pasi presidenti francez tha se Roma kishte vepruar me “cinizëm dhe papërgjegjshmëri” në kthimin pas të anijes me emigrantë të shpëtuar në det.

Ministri i ri italian i punëve të Brendshme, i vijës së ashpër, Matteo Salvini, tha se vendi “nuk kishte çfarë të mësonte nga askush për bujarinë, vullnetarizmin, mikpritjen dhe solidaritetin”dhe kërkoi ndjesë formale.

Salvini, lideri i së djathtës ekstreme, partisë kundër-emigrantëve Liga, bllokoi anijen “Aquarius” duke mos e lejuar të hynte në portet italiane këtë fundjavë, duke nxitur zëra revolte ndërkombëtare. Anija e shpëtimit, që mbante 629 emigrantë në bord, u refuzua edhe nga Malta e tashmë është pranuar nga Spanja.

Ky rast rihapi një prej çështjeve kryesore të mbetura të pazgjidhura në politikën evropiane: si të ndahet përgjegjësia për emigrantët që përpiqen të hyjnë në bllok, nga zonat e konfliktit dhe vendet e varfra, kryesisht nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Më shumë se 1.8 milion njerëz kanë hyrë në Europë, në mënyrë të parrregulltë, që nga viti 2014 dhe Italia, aktualisht, strehon 170 mijë azil-kërkues. Liga e Salvinit arriti rezultatin e vet më të mirë elektoral në mars pasi u zotua të deportojë rreth 500 mijë emigrantë pa dokumente.

Në Gjermani, ministri i Brendshëm i vijës së ashpër, Horst Seehofer, u largua nga një samit integrimi organizuar nga kancelarja Angela Merkel, duke thënë se Berlini duhet të bashkëpunojë me Vjenën dhe Romën në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm.

Seehofer, nga partia konservatore bavareze, CSU, u takua me kancelarin austriak, Sebastian Kurz. Ai deklaroi mbështetjen e tij për propozimin e Kurz për një aks trepalësh “të të vullnetshmëve”me Italinë për të luftuar emigracionin ilegal.

Kurz, i cili drejton një koalicion qeverisës me partinë e së djathtës ekstreme, partinë e Lirisë, tha se një numër në rritje qeverish evropiane tashmë bien dakord për nevojën e një kufizimi të emigracionit të pakontrolluar dhe bllokimin e trafikantëve të njerëzve.

Seehofer u tha gazetarëve që kishte folur me Salvinin, i cili po ashtu mbështet aleancën e propozuar. “Roma, Vjena dhe Berlini duhet të punojnë së bashku në nivel ministrash të Brendshëm në fushat e sigurisë, luftës ndaj terrorizmit dhe çështjes thelbësore të emigracionit”, tha ai. “E pranoj këtë… dhe ne do të nxisim të tjerët përpara për këtë”.

Seehofer e ka vendosur veten në kurs përplasjeje me Merkelin, aleaten e koalicionit, duke nxitur një linjë më të ashpër ndaj emigracionit, përfshirë një propozim si pjesë e një drafti të ri për masterplan kombëtar të emigrantëve, që Gjermania duhet të kthejë pas në kufij emigrantët e regjistruar në shtete të tjera të Bashkimit Europian.

Merkel, e cila po punon për të arritur një marrëveshje mbarë-europiane për rishpërndarjen e azil-kërkuesve dhe për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme ndaj emigracionit të paligjshëm, ku përfshihen edhe kontrolle të shtuara përgjatë kufirit të jashtëm të Bashkimit Europian, e ka hedhur poshtë planin si shkelje të ligjit të BE-së.

Ky plan do të përfaqësonte po ashtu, kthim të plotë pas nga politika e dyerve të hapura që ajo përshtati në vitin 2015 me anë të të cilit më shumë se 1 milion emigrantë hynë në Gjermani e që konsiderohet se ka nxitur një rritje të fortë të mbështetjes për të djathtën ekstreme, partinë Alternativa për Gjermaninë dhe se ka shkaktuar grindje të thella brenda bllokut të saj konservator.

Ndërsa ksenofobia po rritet në të gjithë kontinentin dhe partitë e së djathtës ekstreme janë ose në qeverisje ose në kryesim të sondazheve që nga Italia në jug e deri në Suedi në veri, emigracioni është shndërruar në një çështje me rëndësi ekzistenciale për bllokun.

Por, shtetet anëtare mbeten thellësisht të ndara në lidhje me planet e ndarjes së barrës që synojnë shmangien e përsëritjes së krizës së emigrantëve të viteve 2015-2016, me shtete të tilla “të frontit të parë” si Italia, Greqia dhe Spanja që ankohen se po mbajnë barrë të padrejtë të të ardhurve, ndërsa destinacione më të pasura si Gjermania dhe Holanda argumentojnë se ta kanë bërë mjaftueshëm, ndërkohë që qeveritë e vendeve europiano-qendrore përfshirë Hungarinë dhe Poloninë refuzojnë prerë të gjitha skemat detyruese të ndarjes së refugjatëve.

Salvini, i cili theksoi javën e kaluar se nuk do të lejonte që Italia të bëhej “kampi i refugjatëve” i Europës, tha në senatin italian se ishte i hapur ndaj idesë së një “aksi” të mundshëm me Gjermaninë dhe Austrinë, në prag të një samiti të rëndësishëm të BE-së në fund të qershorit që do të marrë në konsideratë ndryshime të mundshme në ligjin e azlit dhe ndarje më të mirë të barrës.

“Me kolegët e mi gjermanë dhe austriakë… ne do të propozojmë një nismë të re për emigrantët”,tha Salvini, duke shtuar se do të aplikohej si për kufijtë e jashtëm të BE-së, ashtu dhe sesi shtetet anëtare menaxhojnë së brendshmi emigrantët.

Por, ai kërkoi një apologji nga ana e Francës, duke sfiduar Parisin të pranojë emigrantët që kishte premtuar të merrte sipas marrëveshjes së BE-së dhe duke e akuzuar se kishte kthyer pas 10 mijë persona në kufirin verior të Italisë.

Ai tha se Franca ishte zotuar të pranonte 9,816 emigrantë sipas skemës së rishpërndarjes së emigrantëve të vitit 2015 për të lehtësuar presionin ndaj vendeve të frontit të parë, por në tre vjet ka pranuar vetëm 640 persona. Conte e cilësoi qasjen e Francës ndaj krizës së emigrantëve si hipokrite.

Macron më pas, apeloi palët “të mos u jepen emocioneve që disa njerëz po i manipulojnë”, duke këmbëngulur se Franca po punon krah për krah me Italinë për të menaxhuar emigracionin.

Nga ana e tyre, institucionet që merren me shpëtimin dhe përkujdesjen e parë ndaj refugjatëve kërkojnë që BE të gjejë një zgjidhje dinjitoze për këta njerëz vulnerabël. “Ne jemi shumë, shumë të shqetësuar, për shkak se konsideratat politike po bëhen prioritetet më shumë sesa siguria e këtyre njerëzve në nevojë”.(tesheshi)

@tn.lajmelokale
@tetovanews