Ballina Aktualitet Kosovë Fëmijët në Kosovë – viktima të dhunës e varfërisë

Fëmijët në Kosovë – viktima të dhunës e varfërisë

Përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve tërheqin vërejtjen se edhe këtë vit, festa e fëmijëve i gjen ata në pozitë jo të mirë. Donjeta Kelmendi nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, i tha Zërit të Amerikës se të drejtat e fëmijëve po vazhdojnë të shkelen rëndëm.

“Të dhënat flasin për një situatë jo të mirë të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Kemi një shkallë të lartë të varfërisë së fëmijëve, kemi po ashtu një shkallë të lartë të përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve. Sipas agjencisë së statistikave të Kosovës mbi 60 për qind e fëmijëve të anketuar kanë deklaruar që kanë pësuar nga dhuna fizike dhe psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit. Po ashtu, kemi fëmijë të përfshirë në punë të rënda, duke përfshirë këtu edhe kërkim lëmoshën”, tha ajo.

Në një takim me fëmijët në qeverinë e Kosovës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet janë të vetëdijshme se situata nuk është e mirë, por shprehu përkushtimin e qeverisë për ndryshimin e kësaj gjendjeje.

“Tani unë ju siguroj se si qeveri jemi të vetëdijshëm për ta quajtur realitetin tonë, nuk është një realitet më i miri pra fëmijët nuk janë në pozitën më të mirë në vendin tonë. Disa janë sepse kur e ke ekonominë pak më të dobët, kur ka njerëz pa punë, kur infrastruktura nuk është kryer ta zëmë uji i pijes, rryma ndërprehet ose edhe probleme tjera shkollat nuk kanë kushte të mira, tualete të mira, ne e dimë që i kemi disa probleme shumë bazike”, tha kryeministri Haradinaj.

Përfaqësuesi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, Brando Co, tha se pa investim në fëmijë, Kosova nuk mund të ketë ardhmëri të mirë.

“E dimë se Kosova ka privilegjin të ketë popullatën e moshës më të re në Evropë, por kjo gjë nuk do të mbetet gjithmonë kështu. Mbase në dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme kjo do të ndryshojë, kështu që me të vërtetë tash është koha e duhur të rriten investimet për fëmijë”, tha ai.

Veprimtarët humanitarë në vazhdimësi thonë se Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve por problemet qëndrojnë në moszbatimin e tyre.

Artikulli paraprakFederica Nargi, në formë të shkëlqyer në plazhet e Mykonos (FOTO+VIDEO)
Artikulli tjetërKAS, Jon Tarifa e Lex Press publikojnë “Brave Enough” (VIDEO)