Ballina Aktualitet Rajoni Deputeti shqiptar thotë se do të flasë shqip në Parlamentin e Serbisë

Deputeti shqiptar thotë se do të flasë shqip në Parlamentin e Serbisë

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë, Fatmir Hasani, për Agjencinë beogradase të lajmeve “Beta”, të mërkurën e 27 qershorit, është deklaruar se votoi kundër ligjeve për këshillat kombëtare të pakicave, meqë, sipas tij, nuk janë respektuar ndryshimet e përbashkëta të pakicave kombëtare. Deputeti Hasani, siç na shkruan Sevdail Hyseni, paralajmëroi se është duke u përgatitur që para ligjvënësve të Republikës së Serbisë ta paraqitet në gjuhën shqipe, ngase ligji i ri mbi pakicat kombëtare ia mundëson një gjë të tillë.

Deputeti Hasani i thotë “Beta”- s se nga java e ardhshme pret që sekretariati i Kuvendit të sigurojë një përkthyes, ku paraqitjet e tij do të jenë më të shpeshta.

“Do të jetë shumë më mirë, sepse unë sinqerisht për një paraqitje në kuvend në gjuhën serbe, duhet të përgatitem dy herë më shumë, meqë nuk është njëjtë si në gjuhën amtare. Deri më tani, unë së pari kam shkruar fjalimin në letër dhe shpeshherë nuk kam mundur ta marrë fjalën për çështje të caktuara pa u përgatitur, përveç disa pyetjeve të shkurta “, thekson Hasani.

Ai deklaroi se pavarësisht që ligjet e reja sjellin disa të mira, ai në parim nuk i ka votuar ato, sepse partia e tij, Partia për Veprim Demokratik, nuk e mbështet shumicën parlamentare që nga fundi i vitit të kaluar, pasi që “për një vit të plotë Qeveria serbe nuk ka treguar progres në përmbushjen e kërkesave të shqiptare, të cilat u vlerësuan si të pranueshëm nga zyrtarët serbë” – tha Hasani.

Deputeti Hasani ka shtuar se ai nuk ka votuar për ligjet e këshillave kombëtare dhe pakicave kombëtare, sepse nuk i kishin marrë në konsideratë kërkesat e tij për rritjen e buxhetit për këshillat kombëtare, dhe që zyrtarët partiakë mund në të njëjtën kohë të jenë edhe funksionarë në këshillat kombëtare.

“Kundërshtimi kryesor është se ligjet në praktikë janë shumë të vështirë për t’u zbatuar, por mbi të gjitha nuk është pranuar kërkesa ime, që në letërnjoftim dhe pasaportë emrat dhe mbiemrat e qytetarëve të pakicave kombëtare të shkruhen në dy gjuhë, në ketë rast shqip-serbisht”, ka thënë Hasani.

Deputeti Fatmir Hasani ka votuar kundër ligjeve për pakicat kombëtare, që ka zgjuar një interesim shtesë të mediave nga Beogradi, sepse, sipas tyre, shqiptarët nuk po pajtohen me ligjet e Serbisë, shkruan agjencia e lajmeve “Beta”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews