Ballina Bota Këshilltari amerikan John Bolton viziton sot Moskën

Këshilltari amerikan John Bolton viziton sot Moskën

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton pritet të arrijë të mërkurën në Moskë për të biseduar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov duke mos hedhur poshtë mundësinë e takimit edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Reuters.

Vizita e Boltonit në Moskë është konsideruar përpjekje për të realizuar një samit në mes të Putinit dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump.
Bolton pritet të mbajë një konferencë për media, pas takimit të tij me diplomatë rusë, ku edhe mund të tregojë datën dhe vendin e mbajtjes së samitit.

Në muajin mars, Trump pati përgëzuar liderin rus për rizgjedhjen e tij si president, duke përmendur një takim në një të ardhme të afërt.
Aktualisht marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë në pikën më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë.

Shtetet në fjalë nuk kanë mendim të njëjtë për gjendjen në Siri, Ukrainë, dyshimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016 dhe akuzat drejt Moskës për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britani muaj më parë.

Kremlini ka thënë të martën se në mesin e temave që do të diskutohen është edhe stabiliteti ndërkombëtar, problemet rajonale dhe marrëdhëniet bilaterale.

Kremlini nuk ka konfirmuar as nuk ka hedhur poshtë takimin e Boltonit me Putinin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews