Ballina Bota Kroacia nuk i lejon të kalojnë, policia qëllon ndaj furgonit me emigrantë

Kroacia nuk i lejon të kalojnë, policia qëllon ndaj furgonit me emigrantë

Nëntë persona pësuan dëmtime pasi një furgon që mbante 29 emigrantë ilegalë nga Afganistani dhe Iraku u përpoq të çante postbllokun e policisë në kufirin midis Bosnjës e Kroacisë.

Shoferi, i cili mendohej të ishte boshnjak, kalonte emigrantë përmes vendit të tij në Kroaci, anëtare e Bashkimit Evropian që më 2013.

Policia kroate ngriti postbllokun për të ndaluar makinën pranë qytetit juglindor të Zadarit, por migrantët preferuan më mirë të kalonin forcërisht se sa të dorëzoheshin, duke detyruar policët të hapnin zjarr, raporton Business Insider.

‘Shoferi nuk ndaloi pas disa paralajmërimeve. Në fund kaloi përmes postbllokut dhe e drejtoi makinën nga policët. Reagimi i policisë ishte i justifikuar. U detyruan të hapnin zjarr sepse jeta e tyre ishte në rrezik’, tha shefi i policisë së Zadarit, Ranko Drazina.

Dy pre të plagosurve janë fëmijë dhe gjenden në kushte ‘serioze por të qëndrueshme’ pas incidentit, ndërkohë që të tjerët kanë pësuar dëmtime më të lehta.

Si anëtarja më e re e Bashkimit Evropian, Kroacia ende nuk gëzon të drejta të plota të lëvizjes së lirë me pjesën tjetër të bllokut dhe është ende jashtë zonës Schengen.

Kroacia ka paralajmëruar se rruga ballkanike për emigrantët e paligjshëm në Evropën perëndimore dhe veriore – e vënë pjesërisht nën kontroll pasi BE ra dakord t’i paguante qeverisë turke miliarda euro për të ndaluar fluksin drejt Greqisë – mund të shpërthejë sërish.

Kroatët besojnë se trafikantët e njerëzve kërkojnë të sjellin mijëra emigrantë të paligjshëm që ende mbërrijnë në Greqi apo që tashmë kanë mbërritur në vendin e tyre përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë e Bosnjës.

Shqipëria është gjithashtu një burim në rritje i emigrantëve të paligjshëm më vete, bashkë me Kosovën. Shqiptarët e kosovarët janë më të vështirë për t’u interceptuar se emigrantët që hyjnë nga Turqia apo Afrika veriore, pasi vendet e tyre janë në Evropë.

Emigrantëve u duhet të ndjekin rrugën e komplikuar përmes Kroacisë pasi qeveria konservative nacionaliste e Hungarisë mbylli kufijtë duke ngritur një mur në kufi në kulmin e krizës së emigrantëve.

Kroatët fillimisht i kritikuan hungarezët për qëndrimin e ashpër, duke thënë se ishin “gati të prisnin e drejtonin” emigrantët e ndalur në kufirin hungarez dhe shtuan se “telat me gjemba në Evropën e shekullit 21 nuk janë përgjigje, por kërcënim”.

Por hoqën shpejt dorë nga ky qëndrim brenda pak ditëve teksa emigrantët vërshuan drejt Kroacisë, me kryeministrin e atëhershëm Zoran Milanovi? që i tha Brukselit se “ne nuk mundemi më t’i regjistrojmë dhe akomodojmë këta njerëz”.

‘Bashkimi Evropian duhet ta dijë se Kroacia nuk do të bëhet një pikë e nxehtë emigrantësh’, tha ai.

‘Kemi zemër, por kemi edhe kokë’./sn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews