Ballina Aktualitet Kosovë Minatorët e Trepçës paralajmërojnë eskalim të situatës

Minatorët e Trepçës paralajmërojnë eskalim të situatës

Minatorët e Trepçës kanë hyrë sot në ditën e dytë të grevës njëorëshe, në shenjë pakënaqësie me draft-statutin e Trepçës, ndërsa paralajmërojnë eskalim të situatës nëse nuk merren parasysh vërejtjet dhe kërkesat e tyre në lidhje me këtë draft-statut.

Sipas tyre, Ligji për Trepçën precizon se draft-statutin duhet ta përpiloj Bordi dhe jo Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, njëherësh anëtar i Bordit, Shyqyri Sadiku, tha se ekziston rreziku që të gjitha burimet përreth minierave në të ardhmen të mbeten jashtë këtij procesi, ngase nuk janë përfshirë në njësitë biznesore.

Ai ka përmendur edhe kërkesat tjera, si ligjin për pensionet me 70 për qind të pagës nga 50 deri 55 vjet, ligjin për invalidë, sigurimin shëndetësor etj.

Sipas tij, nëse ky draft-statut kalon në këtë formë çfarë është, atëherë do të jetë fundi i Trepçës.

“Ne kemi dorëzuar edhe dy draft-statute në MZHE, ku qeveria nuk i ka marr për bazë vërejtjet dhe kërkesat tona dhe ka miratuar një draft që ka shkuar në komisionin parlamentar…Kërkesat tona janë nga neni 6 ku parashihen burimet përreth minierave të cilat nuk i kanë futur në njësitë biznesore.

Ne jemi të rrezikuar që të gjitha këto burime të cilat janë të hulumtuara nga Trepça që në të ardhmen të mbeten jashtë këtij procesi ose jashtë këtij draft-statuti. Gjithsesi janë edhe kërkesat e minatorëve si ligji për pensionet me 70 për qind të pagës mosha 50-55 vjet, ligji për invalidë, stazhi I punës prej vitit 89-99 me u numëru, stazhi i benificuar, sigurimi shëndetësor dhe në punë, si dhe trashëgimia e pensionit familjar…

Po besoj se nëse kalon ky draft-statut me këto njësi biznesore, vetëm miniera e Stantërgut dhe miniera e Artanës e Kishnicës, mendoj se është fundi i Trepçës, sepse Trepça ka diku rret h 27 asete…Nëse nuk merren për bazë këto kërkesa të cilat janë jetike për minatorët, situata do të eskalojë, ose do të shkohet në grevë të përgjithshme ose protestë në rrugë para qeverisë në Prishtinë”, ka thënë Sadiku.

Ndryshe, pas grevës njëorëshe e cila u mbajt në të gjitha njësitë e Trepçës në Kosovë, minatorët dhe stafi tjetër i janë kthyer punës, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka Trepça në zhvillimin ekonomik të vendit./pe/

@tn.lajmelokale
@tetovanews