Ballina Bota Samiti Trump-Jong un, udhëheqësi korean mbërrin në Singapor (VIDEO)

Samiti Trump-Jong un, udhëheqësi korean mbërrin në Singapor (VIDEO)

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka mbërritur në Singapor për samitin e parashikuar me presidentin amerikan, Donald Trump.

Takimi historik mes dy udhëheqësve do të zhvillohet në ishullin turistik të Sentosës, gjatë së martës. Kjo do të jetë hera e parë që kreu i Koresë komuniste do të takohet me një president amerikan në detyrë.

Përpara nisjes, Trump e përshkroi samitin si një “mundësi e artë e vetme” për paqen, teksa tha se të dy ata do të jenë “në një territor të panjohur” në kuptimin e plotë të fjalës. Presidenti amerikan pritet të mbërrijë më vonë gjatë kësaj të diele.

Uashingtoni shpreson që samiti të jetë pikënisja e një procesi që do të detyrojë Kim Jong-unin të heqë dorë nga armët bërthamore.

Dy udhëheqësit kanë pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme me ulje-ngritjet e veta gjatë 18 muajve të fundit, duke këmbyer ofendime e duke kërcënuar për luftë, përpara se të ndryshonin gjithçka në mënyrë drastike, për të ndjekur kursin drejt një takimi kokë më kokë.

Dy udhëheqësit do të takohen me kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong, përpara samitit mes tyre.

Viti i parë i Trumpit në detyrë është shënuar nga deklarata të ashpra kundrejt Kim Jong-unit dhe Koresë së Veriut, me këtë të fundit që zhvilloi disa teste raketash balistike në sfidim të hapur me paralajmërimet ndërkombëtare.

Presidenti amerikan u zotua t’i përgjigjej me “zjarr e furi” nëse Peniani do të vijonte të kërcënonte Shtetet e Bashkuara. Në kundërpërgjigje, Kim Jong-uni e quajti atë “të çmendur dhe të vonuar”.

E pavarësisht fushatës me presion maksimal nga Shtëpia e Bardhë, Koreja e Veriut mbeti e palëkundur dhe zhvilloi madje edhe testin e 6 bërthamor në shtator të vitit 2017. Vetëm pak pas tij, Kim Jong-uni deklaroi se vendi i tij kishte përmbushur misionin për t’u bërë një shtet me fuqi bërthamore, e me raketa që do të mund të arrinin deri në Shtetet e Bashkuara.

Por, në fillim të këtij viti, Koreja e Veriut nisi përpjekjet për të sheshuar kontradiktat me Korenë e Jugut gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang. Në mars, Trump surprizoi botën kur pranoi ftesën e Kimit, dhënë përmes Seulit, për t’u takuar personalisht me të.

Që prej atëherë, udhërrëfyesi drejt samitit ka pasur pengesa dhe paqartësi, teksa Trump fillimisht e anuloi takimin e më pas pranuan sërish të uleshin me njëri-tjetrin.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Koreja e Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore në mënyrë të pakthyeshme, me certifikimin e ndërkombëtarëve. Vetëm kur të tilla hapa të ndërmerreshin, atëherë sanksionet e Kombeve të Bashkuara do të nisnin të lehtësoheshin, siç paralajmëroi së fundi edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

Por, kjo nuk do të thotë se SHBA-të presin nënshkrimin e paktit përfundimtar në Singapor. Presidenti Trump e ka përshkruar samitin si një proces njohjeje të situatës, ndaj do të duhet më shumë kohë.

Ndërkohë, Kim Jong-un është shprehur se tashmë dëshiron të fokusohet te forcimi i ekonomisë koreano-veriore, e përmes kësaj kërkon edhe lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare. Top Channel

@tn.lajmelokale
@tetovanews