Ballina Bota Spanjë, betohet kryeministri i ri Pedro Sanchez

Spanjë, betohet kryeministri i ri Pedro Sanchez

Kreu i Partisë Socialiste spanjolle, Pedro Sanchez bëri betimin si kryeministër i ri i vendit, një ditë pasi mocioni i tij i mosbesimit rrëzoi konservatorin Mariano Rajoy, që e mbante postin prej gati 7 vjetësh.

Sanchezi ateist u betua që të mbrojë Kushtetutën pa e mbështetur dorën mbi një bibël apo kryq, hera e parë që ndodh kjo në historinë moderne të vendit.

Udhëheqësi socialist, partia e të cilit ka vetëm një të katërtën e vendeve në Parlament, arriti të siguronte mbështetjen e 6 partive të tjera për të përmbysur Rajoyn pas një skandali gjigant korrupsioni. Tani, 46-vjeçarit i duhet të mendojë se cilët do të jenë njerëzit që do të përfshijë në kabinetin e tij, ndërsa listën pritet ta bëjë publike javën që vjen.

Premtimi solemn gjatë ceremonisë së shkurtër në rezidencën mbretërore në Madrid ishte të përmbushë detyrimet e tij me ndërgjegjje, nder, besnikëri ndaj Mbretit e të mbrojë dokumentin themeltar të shtetit.

Po të shtunën u betua edhe qeveria e re rajonale e Katalonjës, betejën e së cilës për pavarësi Rajoy e mbylli me një grusht të fortë dhe vendosjen e sundimit direkt të Madridit, 7 muaj më parë. Presidenti i ri katalanas, Joaquim Torra, aleat i ngushtë i liderit të përmbysur separatist Carles Puigdemont, u zotua që të vazhdojë përpjekjet për shkëputjen e rajonit nga Spanja./sn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews