Ballina Bota Tensionohen marrëdhëniet Greqi-Turqi, avionë luftarakë mbi hapësirën ajrore greke

Tensionohen marrëdhëniet Greqi-Turqi, avionë luftarakë mbi hapësirën ajrore greke

Turqia ka ngritur në fluturim avionë luftarakë që kanë gjëmuar mbi hapësirën ajrore greke, teksa tensionet mes dy vendeve fqinje sa vijnë e rriten, edhe për shkak të lirimit nga paraburgimi të 8 oficerëve ushtarakë turq të përshkruar si tradhtarë nga Ankaraja zyrtare.

Formacione avionësh “F-16” fluturuan në lartësi të ulëta mbi ishujt e Egjeut për mbi 20 minuta gjatë së martës, mes kërcënimeve dhe akuzave me nota të larta të Turqisë ndaj Greqisë për strehimin, siç i konsiderojnë turqit, e terroristëve.

Ankaraja është zotuar të përndjekë komandot, që sipas saj morën pjesë në përpjekjen e dështuar për grusht shteti në korrik të vitit 2016, kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe qeverisë së tij.

“Është detyra dhe detyrimi ynë t’i gjejmë këta ushtarë puçistë kudo që ndodhen. T’i rrëmbejmë ata dhe t’i kthejmë në Turqi”, tha zv.kryeministri turk, Bekir Bozdag gjatë mbrëmjes së të hënës.

Ai kritikoi personalisht kryeministrin grek, Alexis Tsipras, për mosdorëzimin e ushtarëve në Turqi, pasi ata u arratisën dhe shkelën edhe hapësirën ajrore greke.

“Nga deklaratat e bëra në Greqi prej kryeministrit të tyre menjëherë pas puçit, ne krijuam opinion pozitiv se ata do të mund të ekstradoheshin në Turqi, – tha ai. – Ne menduam se Tsiprasi do ta mbante fjalën. Por, me kalimin e kohës kemi parë që autoritetet juridike të vendit helen janë mobilizuar në mbrojtje të tyre dhe këta puçistë nuk janë ekstraduar”.

Fati i 8 ushtarakëve ka qenë në duart e grekëve që kur ata befasuan autoritetet lokale greke duke ulur helikopterin e tyre në periferinë veriore të qytetit kufitar të Alexandroupolisit, një ditë pas dështimit të grushtit të shtetit.

Komandot mohojnë të kenë qenë pjesë e puçit, që la 250 të vdekur dhe mbi 2.000 të plagosur. Të hënën, autoritetet greke i nxorën nga paraburgimi ushtarakët turq, e tashmë pas skadimit të periudhës 18-mujore të procesit paragjyqësor, ata edhe mund të burgosen teksa aplikojnë për azil. Ata janë zhvendosur në vende “top sekret” nën mbrojtjen e policëve të armatosur deri në dhëmbë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews