Ballina Bota Trumpi e lideri verikorean Kim Jong-un takohen më 12 qershor në Singapor

Trumpi e lideri verikorean Kim Jong-un takohen më 12 qershor në Singapor

Pak kohë më parë mund të konsiderohej utopi, diçka e pagjasë që të ndodhte, por tashmë është bërë fakt. Një prej zyrtarëve më të lartë të Koresë së Veriut, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për vizitën e parë prej afro 20 vitesh, pas takimit me Sekretarin e Shtetit, Pompeo, mbërriti edhe në Uashington për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Donald Trump.

Gjenerali Kim Yong-chol pati si mision dorëzimin e një letre nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, homologut amerikan të këtij të fundit, presidentit Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, pas diskutimeve të mbajtura me të, doli në një konferencë për mediet duke zyrtarizuar pjesëmarrjen në samitin e 12 qershorit, transmeton topchannel.

Vizita e tij vjen një ditë pasi takoi Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Nju Jork, ku diskutuan mbi samitin historik që pritet të ndodhë mes dy udhëheqësve. Trump e anuloi pak ditë më parë samitin e programuar për më 12 qershor, por prej asaj kohe palët kanë rënë dakord të vazhdojnë përpara me dialogun.

Nëse ndodh vërtet siç ishte parashikuar, në Singapor, takimi historik do të ishte i pari mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një kryetari shteti nga Koreja e Veriut. Sekretari i Shtetit, Pompeo e quajti takimin e tij të së enjtes, me në fokus bisedimet mbi denuklearizimin e gadishullit Korean, me gjeneralin Kim si “tejet pozitiv”.

“Presidenti Trump dhe unë besojmë se Kim Jong-un është një udhëheqës që mund t’i ndërmarrë edhe këto vendime. Gjithashtu besojmë se në javët e muajt e ardhshëm, ne do të kemi mundësinë të provojmë nëse ky është momenti i duhur dhe rasti i duhur për ta bërë”, tha ai.

Letra e Kimit raportohet të ketë në përmbajtje shprehjen e interesit të shefit të vendit komunist për t’u takuar me Trumpin, pa bërë ndonjë lëshim domethënës apo kërcënime në lidhje me denuklearizimin, sipas asaj që raporton “Wall Street Journal”, duke cituar një zyrtar të jashtëm qeveritar që ka dijeni mbi përmbajtjen e letrës, ndoshta koreano-jugor.

@tn.lajmelokale
@tetovanews