Ballina Aktualitet Kosovë Deputetja e Kuvendit: S’ka viza këtë vit, BE-ja nuk është bindur se...

Deputetja e Kuvendit: S’ka viza këtë vit, BE-ja nuk është bindur se luftohet krimi dhe korrupsioni

Pas ratifikimit të Demarkacionit më 21 mars të këtij viti liderët kosovarë nisën t’i uronin qytetarët e Republikës së Kosovës për liberalizimin e vizave. Kjo pasi me miratimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi liberalizimi i vizave shihej si “punë e kryer”. Por, ky proces nuk pritet të finalizohet as gjatë këtij viti. Komisioni Evropian (KE) nuk ka publikuar ende rekomandimin për përmbushjen e kriterit të fundit lidhur me vizat, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë të ndodhte në fund të muajit të shkuar.

Ndërkaq anëtarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Fitore Pacolli-Dalipi, ka thënë se BE-ja nuk ka dhënë asnjëherë data për liberalizimin e vizave. Premtimet që liberalizimi do të ndodhë këtë vit, sipas saj, janë vetëm premtime të Qeverisë së Kosovës e jo të BE-së.

“BE-ja ka deklaruar se pa u përmbushur kushtet, sidomos luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, nuk do të ketë liberalizimi. Vetëvendosja në muajin mars pati prezantuar një raport të brendshëm nga ekspertët evropianë të angazhuar nga KE-ja, ku thuhet se Kosova nuk ka bërë hapa pozitivë në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.Ky raport, sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, ishte sinjal se nuk do të ketë rekomandim nga KE-ja këtë vit.

Madje, siç ka deklaruar ajo, tashmë shtetet si Franca, Belgjika dhe Holanda nuk janë as të bindura se është plotësuar kushti për luftimin e korrupsionit.

Madje edhe po që se KE-ja publikon rekomandimin, Pacolli-Dalipi ka vlerësuar se procesi i liberalizimit nuk mund të finalizohet përgjatë këtij viti.

“Edhe nëse publikohet rekomandimi nga KE-ja gjatë këtij muaji nuk ka mundësi që procedurat e shumta të përfundojnë deri në fund të vitit”, ka theksuar ajo.

@tn.lajmelokale
@tetovanews