Ballina Bota Fermerët e bardhë të Afrikës së Jugut emigrojnë në Rusi

Fermerët e bardhë të Afrikës së Jugut emigrojnë në Rusi

Boerët janë pasardhës të fermerëve holandezë që nisën të kolonizojnë Afrikën e jugut rreth 250 vite më parë. Pas fundit të aparteidit në vitin 1994, që i ndante zezakët nga të bardhët me ligj, ata ankohen se situata e sigurisë është përkeqësuar për ta.

Rreth 15,000 prej tyre kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga Afrika e Jugut e për t’u vendosur në Rusi, po si fermerë, për t’i shpëtuar dhunës që raportojnë se po zhvillohet kundër tyre.

50 familjet e para pritet të vendosen në jugperëndim të Rusisë së shpejti, duke kërkuar azil politik. Ata thonë se pësojnë sulme të dhunshme si dhe kërcënime me vdekje, të cilat thonë se e kanë burimin nga vendimet e qeverisë së Afrikës së Jugut për të shpronësuar fermerët e bardhë.

Ata thonë se nuk i kanë vjedhur toka askujt, dhe se kur janë vendosur si kolonizatorë, në shek. 18 dhe 19, janë përpjekur të negociojnë në mënyrë zyrtare e duke shmangur konflikte. Por Cyril Ramaphosa, presidenti i ri i Afrikës së Jugut, kishte premtuar që në fushatë se do t’u kthente zezakëve tokat që u ishin marrë nga fermerët e bardhë që në vitet 1600. Qeveria tha se kanë në plan t’i japin fund asaj që e quajnë “aparteidi i trashëguar”, faktit që shumica e tokave zotërohen nga pakica e të bardhëve.

Debatet kanë degjeneruar në dhunë dhe nga viti 2016, deri në vitin 2018, janë raportuar 74 vrasje dhe 638 sulme kundër fermerëve, kryesisht të bardhëve.

Qeveria nuk i mohon shifrat, por thotë se sulmet kanë ndodhur për shkak të një vale dhune që është përhapur po njësoj edhe kundër fermerëve zezakë.

“Duam të emigrojmë sepse shohim një të ardhme shumë të errët këtu dhe kemi frikë për jetën tonë”, thotë njëri prej tyre.

Zona e Stavropolit në Rusi është përgatitur të presë 50 fermerët e parë, dhe pas një studimi kanë raportuar se mund të mirëpresin 500 në total.