Ballina Bota FOTOT: FBI arreston spiunen ruse, tentoi të infiltrohej në politikën amerikane

FOTOT: FBI arreston spiunen ruse, tentoi të infiltrohej në politikën amerikane

Një shtetase 29-vjeçare ruse është arrestuar nga FBI, pasi akuzohet për spiunazh.

Maria Butina akuzohet se tentoi të kryente spiunazh për qeverinë ruse, ndërsa infiltrohej në grupe politike amerikane.

Mediat amerikane shkruajnë se 29-vjeçarja kishte krijuar lidhje të ngushta me Partinë Republikane dhe ishte bërë një mbështetëse e të drejtave për armët.

Sipas FBI-së, detyra e saj ishte të shfrytëzonte lidhjet personale që kishte me shtetas amerikanë me ndikim në politikë për interes të Rusisë.

Prokurorët thonë se ajo krijoi një grup mbështetje për të drejtën për të mbajtur armë para se të vinte në SHBA, në mënyrë që ta kishte më të lehtë të infiltrohej në radhët e republikanëve.

Dyshohet se ajo mund të ketë tentuar të përdorë Shoqatën Amerikane të Armëve, ose NRA, për të financuar fushatën Trump dhe për të krijuar kanale dytësore komunikimi për qeverinë ruse.

FBI thotë se Butina i raportonte një zyrtari në Moskë, mesazhet me të cilin janë zbuluar.

Avokati i saj i hodhi poshtë akuzat.

Sipas një dëshmie të FBI-së, në periudhën ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, Maria Butina punoi si ndihmëse e një zyrtari të lartë të Bankës Qendrore Ruse, që më parë shërbeu në legjislaturën e vendit.

Në dëshmi nuk identifikohet zyrtari rus, por thuhet se ai u vu nën sanksionet e Departamentit amerikan të thesarit në muajin prill.

Në muajin prill Departamenti amerikan i thesarit, shpalli sanksionet kundër 17 zyrtarëve të lartë qeveritar rusë, përfshirë Alexander Torshin, zëvendës guvernator i Bankës Qendrore ruse.

Maria Butina akuzohet se derisa paraqitej si studente në Shtetet e Bashkuara, punoi nën drejtimin e Torshinit për të avancuar interesat ruse në Shtetet e Bashkuara.

Si pjesë e përpjekjeve të saj, ajo ndërveproi me dy qytetarë amerikanë të paidentifikuar, për të organizuar takime dhe darka me amerikanë me ndikim.

Butina u takua me amerikanin e parë në Moskë në vitin 2013.

Amerikani punoi me Butinën “për të organizuar së bashku prezantime me amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një organizatë që promovon të drejtën për mbajtjen e armëve … me qëllim të avancimit të agjendës së Federatës Ruse”, thuhet në dëshminë e FBI-së.

Shtetasi i dytë i paidentifikuar amerikan u përfshi në një seri komunikimesh nëpërmjet postës elektronike në vitet 2016 dhe 2017, që tregojnë përpjekjet e Butinës që “të organizojë një seri darkash në distriktin e Columbias dhe në New York, duke përfshirë shtetas rusë dhe amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në dëshmi.

Dëshmia e përshkruan Rusinë si një nga “kërcënimet kryesore të shërbimeve shtetërore të zbulimit ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara, bazuar në aftësitë, qëllimin dhe hapësirën e gjerë operacionale”.

Një Juri e Madhe federale ngriti të premten akuza ndaj 12 oficerëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit, për depërtim në vitin 2016 në rrjetin kompjuterik të kandidates demokrate për presidente të SHBA-së Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rus, Vladimir Putin, se ndërsa ai kishte besim në agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, i beson mohimit të Putinit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane.

(TemA)

@tn.lajmelokale
@tetovanews