Ballina Bota Analiza Fundi i NATO-s? Analiza e Carl Bildt

Fundi i NATO-s? Analiza e Carl Bildt

Nga Carl Bildt

STOCKHOLM – Çfarë ka mbetur nga NATO dhe rendi transatlantik, pas javës së trazuar të presidentit amerikan Donald Trump në Bruksel, Mbretërinë e Bashkuar dhe Helsinki, ku ai mbrojti presidentin rus Vladimir Putin, kundër akuzave për luftë kibernetike nga agjencitë e inteligjencës së SHBA?

Po t’i shohësh ngjarjet të shpalosen, me syze ngjyrë roëzë, mund të mendosh se aleanca më e rëndësishme strategjike e Perëndimit është pak a shumë në rregull, apo madje që po rritet edhe më shumë. Në të vërtetë, NATO është në rrezik, dhe fati i saj tani qëndron në duart përbuzëse të Donald Trumpit.

Para dhe gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s, ka pasur shumë kritika për shpenzimet ushtarake të shteteve anëtare. Secili anëtar pritet të rritë shpenzimet e tij në 2% të PBB-së deri në vitin 2024, por Trumpi duket se mendon se kjo tashmë duhet të ishte bërë. Dhe në takimin e javës së kaluar, ai papritmas bëri thirrje për një objektiv të ri prej 4% të PBB-së – që është më shumë sesa shpenzojnë edhe vetë Shtetet e Bashkuara.

Gjatë dekadave të fundit, fokusi parësor i NATO-s ka qenë në operacion paqeruajtjeje në vende të largëta, dhe jo funksioni i saj bazë i mbrojtjes territoriale. Për shumicën e shteteve anëtare të BE, dividenti i paqes nga operacionet e aleancës justifikonte shkurtimet në shpenzimet e brendshme ushtarake. 

Por kjo qasje ndryshoi në vitin 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe nisi sulme të fshehta ushtarake në Ukrainën Lindore. Që atëherë, buxhetet e mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s janë rritur mesatarisht me rreth 4% në vit, duke e bërë objektivin e 2024 të arritshëm.

Më thelbësisht, ankesa e Trump se SHBA është duke marrë një pjesë të padrejtë të barrës për mbrojtjen kolektive të NATO-s, është e dyshimtë. Ndërkohë që buxheti ushtarak i SHBA-së barazohet me rreth 72% të shpenzimeve të mbrojtjes së të gjitha vendeve anëtare të NATO-s të marra së bashku, rreth tre të katërtat e shpenzimeve ushtarake amerikane drejtohen në rajone të tjera, jashtë Evropës. Rreth gjysma e buxhetit të mbrojtjes amerikane është shpenzuar për mbajtjen e një pranie në Paqësor, dhe një çerek tjetër është shpenzuar për operacionet në Lindjen e Mesme, komandën dhe kontrollin strategjik bërthamor dhe fusha të tjera.

Për më tepër, megjithëse SHBA ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj të mbrojtjes në Evropë gjatë viteve të fundit, vlen të kujtojmë se shumica e forcave dhe objekteve amerikane aktualisht janë të fokusuara në harkun gjeostrategjik nga India në Afrikën e Jugut. Me baza të tilla si Ramstein, Fairford, Rota, Vicenza dhe Sigonella, SHBA ka përdorur prej kohësh Evropën si një terren për dërgimin e forcave gjetkë. Dhe pajisjet e paralajmërimit të hershëm dhe të vëzhgimit që mbajnë Shtetet e Bashkuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegji, janë atje për të mbrojtur SHBA-në kontinentale, jo Evropën.

Fakti është se shpenzimet totale të mbrojtjes evropiane janë rreth dy herë më shumë se sa shpenzimet e SHBA për sigurinë evropiane, dhe gjithashtu dyfishin e asaj që Rusia shpenzon për mbrojtjen, sipas vlerësimeve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes të SHBA.

Rëndësia kritike e forcave të komandës, kontrollit dhe inteligjencës të SHBA në Evropë nuk duhet minimizuar, por duhet që të paktën të vendoset në perspektivë. Ndonëse ushtria e SHBA solli së fundmi brigadat e veta në Evropë për ushtrime stërvitore, trupat e stacionuara në mënyrë të përhershme janë të pajisura vetëm për ndërhyrje të kufizuara. 

Kjo është arsyeja pse NATO duhet të vazhdojë të përmirësojë kapacitetet e saj mbrojtëse në Evropë. Më e pakta, Evropa ka nevojë për më shumë forca ushtarake dhe ato forca duhet të jenë të pajisura për vendosjen e shpejtë në zona kritike. Komanda e re e lëvizshme që po krijohet në Gjermani është një hap i parë premtues.

E megjithatë, avantazhet e Rusisë mbi NATO-n kanë të bëjnë më shumë me burimet sesa me komandën dhe kontrollin. Si një vend i vetëm, forcat ushtarake të Rusisë janë më të integruara dhe mund të vendosen më shpejt në ndjekje të direktivave strategjike nga Kremlini. Kjo qartësi u tregua mjaftueshëm në Krime në vitin 2014 dhe në Siri vitin që pasoi.

Nga ana e saj, NATO ka një strukturë komande thellësisht të integruar për forcat që i janë caktuar. Por kjo vështirë se do ketë rëndësi, nëse vendimet politike për të shpërndarë forcat ose për të nisur operacionet nuk merren në kohë. Në çdo konfrontim ushtarak, uniteti i vullnetit dhe shpejtësia e vendimmarrjes së nivelit të lartë, janë ato që përcaktojnë rezultatin.

Problemi është se ndërsa kapaciteti ushtarak i NATO-s po përmirësohet, kapaciteti vendim-marrës politik po përkeqësohet. Imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse një vend anëtar i NATO-s do të lëshonte alarmin që Rusia po nis një operacion ushtarak të fshehtë si ai i Krimesë, brenda kufijve të vet. Pastaj, imagjinoni sikur agjencitë e inteligjencës amerikane të konfirmonin se një akt i tillë agresioni ishte vërtetë duke ndodhur, pavarësisht nga mohimet e Putinit.

Dhe në fund, imagjinoni si do të reagonte Trumpi. A do i telefononte Putinit për ta pyetur çfarë po ndodh? Dhe a do të bënte Putini një tjetër “ofertë të pabesueshme”, për të ndihmuar hetuesit e SHBA që t’i shkojnë deri në fund gjërave? Më troç: A do të vinte në punë Trumpi parimin e mborjtjes kolektive, sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s? Apo do të hezitonte, do të vinte në dyshim informacionet, do të injoronte aleatët e SHBA, dhe besonte mohimet e Putinit?

Këto janë vërtetë pyetje shqetësuese për t’ia bërë një presidenti amerikan. Dhe tani do të qëndrojnë varur për një kohë të gjatë, mbi kryet e Evropës.

Copyright: Project Syndicate, 2016.

www.project-syndicate.org

Në shqip nga bota.al. Botuar me miratimin e Project Syndicate

@tn.lajmelokale
@tetovanews