Ballina Aktualitet Kosovë Gjermanët nuk e ndryshojnë qëndrimin: S’ka ndarje të Kosovës

Gjermanët nuk e ndryshojnë qëndrimin: S’ka ndarje të Kosovës

Gjermania vazhdon të mos lëkundet në qëndrimin kundër ndarjes së Kosovës, edhe kur duket se pjesa tjetër e diplomacisë hezitojnë të deklarohen për mundësinë që në dialogun me Serbinë ndarja të jetë kompromis për marrëveshje me Serbinë
Reagime të mëdha ka nxitur javën e kaluar refuzimi i ambasadorit amerikan, Greg Delawie, për të folur rreth temës së ndarjes.

Ky hezitim i diplomatit amerikan riaktualizoi çështjen e mundësisë që Veriu t’i ndahet Kosovës. Ndërsa Ambasada e Gjermanisë shpreh qëndrim të njëjtë rreth kësaj çështjeje: kategorikisht kundër ndarjes.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Ambasada e Gjermanisë ka thënë se kanë qëndrim të njëjtë rreth normalizimit të raporteve siç deri më tani janë shprehur ministri i Shtetit Michael Roth dhe ambasadori Christian Heldt.

Ambasadori Heldt vetëm një muaj më parë ka thënë në një intervistë se askush nuk ka mundur ta bindë atë se ndarja do të ishte zgjidhja e duhur.

“Mua nuk ka mundur askush të më japë përgjigje bindëse në pyetjen se cilat probleme do t’i zgjidhte një ndarje e tillë. Mos vallë do të sillte ndonjë lloj përmirësimi për shumicën e serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në jug të Ibrit? A do ta përmirësonte situatën e qendrave historike dhe fetare, siç janë manastiret ortodokse serbe? A mos do ta fuqizonte përfaqësimin e komunitetit serb brenda shoqërisë kosovare? Jo!”, ishte shprehur i prerë diplomati gjerman.

Ndërsa, siç thonë në Ambasadën gjermane, edhe ministri i shtetit, Michael Roth, ka shprehur qëndrimin e Gjermanisë kundër çfarëdo ideje që do të lëvizte kufijtë.

Roth pati zgjedhur 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës për të paralajmëruar se sa e rrezikshme mund të jetë ndarja, nëse kjo futet në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë.

“Unë nuk do t’i ofroja asnjërës palë propozime konkrete nga jashtë, sepse çështjet që ju përmendni janë shumë komplekse dhe sigurisht aspak të thjeshta për t’i zgjidhur. Mirëpo, përgjithësisht unë kam besim që Kosova dhe Serbia do të tejkalojnë këtë pengesë, nëse për këtë ka vullnet politik. Ndonëse këtu më duhet të shpreh një paralajmërim: lëvizjet e kufijve janë tejet të rrezikshme. Ne i kundërshtojmë ato në mënyrë kategorike”, ka thënë Roth në një intervistë të dhënë Kohës Ditore gjatë shkurtit të këtij viti.

Gjermania të njëjtin qëndrim e ka mbajtur që nga fillimi i këtij viti kur po raportohej se presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq, po takoheshin fshehtas dhe tashmë shkëmbimi i territoreve/ndarja e Kosovës, ishte opsioni që do ta kurorëzonte marrëveshjen mes dy shteteve.

Edhe Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, ndërmjetësuese në dialog, Federica Mogherinit, është pyetur se cili është qëndrimi i Brukselit rreth ndarjes që edhe njëherë ngjalli pasigurinë te kosovaret kur Delawie heshti në pyetjet rreth kësaj çështjeje. Në përgjigjen e dhënë për Gazetën Express, i është shmangur temës së ndarjes, por kanë thënë se Kosova e Serbia vetë po e përcaktojnë rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka për qellim promovimin bashkëpunimin afatgjatë mes dy palëve, t’u ndihmoje atyre te arrijnë përparim ne rruge drejt Evropes, si dhe ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të vet. Zgjidhja afatgjate nënkupton se zgjidhja duhet të jetë reale, e zbatueshme dhe e qëndrueshme sipas ligjit ndërkombëtar. Palët janë duke përcaktuar gjuhen e përbashkët për pajtim te ndërsjellë”, ka thënë për Express, zëdhënësja e Zyrës së Mogherinit, Maja Kocijanciq. /Express/

@tn.lajmelokale
@tetovanews