Ballina Aktualitet Kosovë Konjufca: Thaçi kërcënoi popullin kur e krahasoi Kosovën me Palestinën

Konjufca: Thaçi kërcënoi popullin kur e krahasoi Kosovën me Palestinën

Vetëvendosje vazhdon ta shoh dëshirën e presidentit Hashim Thaçi për ta udhëhequr dialogun me Serbinë si dëshirë për ta shpëtuar vetën nga Gjykata Speciale. Kështu ka thënë sot shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Glauk Konjufca. Presidenti Thaçi ditë më parë ka thënë se mbetemi si Palestina nëse humbim kohë pa konsensus, e këtë Konjufca e konsideron kërcënim.
“Serbia ta zgjedh BE-në, e jo Kosovën, është opsioni i vetëm i pranueshëm për Vetëvendosjen, mirëpo, sipas tyre Thaçi po i mundëson Serbisë që t’i zgjedh të dyja, edhe një copë të Kosovës, dhe BE-në me hapa të sigurt”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, Thaci po përpiqet ta shpëtojë vetën nga Gjykata Speciale, prandaj po insiston që në cdo mënyrë të udhëheq dialogun për të fituar kohë.

“Ai mendon që duke bërë kompromise me Serbinë, ndoshta për pak muaj do ta shtyjë Gjykatën Speciale”.

Sheif i GP të VV’së thotë se asnjë lider nuk e merr me kaq lehtësi drejtimin e negociatave përvec Thacit.

“Secilit politikan që do t’i ofrohej me udhëheq dialogun me Serbinë, me siguri se do të mendonte disa herë dhe do të hezitonte, është vetëm një politikan që po vrapon me qenë në krye. Kjo tregon se presidenti Thaçi dialogun e ka diçka jetike, mirëpo ne mendojmë se kjo është jetike vetëm për karrierën e tij personale”, tha ai.

Konjufca përmend se nuk kanë ndryshar kompetencat e presidentit, kësisoj Thacit nuk i takon asgjë më shumë se sa që i ka takuar ish-presidentes Atifete Jahajaga. Si në kohën e saj, sipas Konjufcës, dialogu duhet të udhëheqet nga Qeveria.

“E shpalli vetveten drejtues të dialogut. Me sa e dimë ne në Kosovë nuk ka ndodh kurrfarë ndërrimi i kompetencave të presidentit. Pra, Thaçi ka ato kompetenca që ka pas edhe Jahjaga”, tha ai.

“Tash kur presidenti i hoqi vijat e kuqe me Serbinë, Parlamenti duhet t’ia vendosë vijat e kuqe Hashim Thaçit”, tha Konjufca, duke komentuar deklarimin e presidentit Thaçi që dialogu me Serbinë nuk ka vija të kuqe.

Konjufca tha se shkëmbimi i territoreve duhet të jetë vijë e kuqe. Deklarimin e Thaçit se Kosova rrezikon të mbetët si Palestina, Konjufca e ka quajtur kërcënim të popullit.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit që të mos e kërcënojë më popullin e Kosovës, me raste të tilla që ekzistojnë në botë e që Kosova nuk ka lidhje”, tha Konjufca. /Express/

@tn.lajmelokale
@tetovanews