Ballina Aktualitet Kosovë Lugina e Preshevës kërkon përfshirje në bisedimet Kosovë-Serbi

Lugina e Preshevës kërkon përfshirje në bisedimet Kosovë-Serbi

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, në takimin e mbajtur sot në Bujanoc, ka miratuar deklaratën e përbashkët, me të cilën kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të Luginës në dialogun e Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në deklaratën politike, ndër tjera thuhet se “Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet rajoni më i diskriminuar dhe ekonomikisht më i pazhvilluar, si pasojë e politikës diskriminuese shtetërore të Serbisë”.

Në këtë deklaratë politike kërkohet realizimi i plotë i të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe ngritja substanciale e monitorimit të vazhdueshëm të Bashkësisë ndërkombëtare me qëllim të vlerësimit real të pozitës ë shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nga 68 këshilltarë shqiptarë sa kanë gjithsej Kuvendet Komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës morën pjesë 50 këshilltarë. Deklarata e këshilltarëve vjen si mbështetje e nismës së disa intelektualëve nga Preshevës të cilët kërkojnë përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Të mërkurën në Bruksel pritet të mbahet raundi i ri i bisedimeve mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

@tn.lajmelokale
@tetovanews