Ballina Bota Merkel tregon se qetësinë e saj nuk e prish asgjë

Merkel tregon se qetësinë e saj nuk e prish asgjë

Grindje në qeveri, kërcënime për dorëheqje të ministrit të Brendshëm, goditje nga presidenti Trump: Por Angela Merkel tregon në konferencën e shtypit të verës se qetësinë e saj nuk e prish asgjë.

Duhej të ngjiste shkallët për në konferencën e shtypit një njeri i kërrusur me rrathë të zinj poshtë syve, që mezi e gjen fuqinë të ecë? Jo, Angela Merkel kancelarja gjermane vjen me një xhaketë të kuqe të ndezur, me humor. Si çdo vit edhe kësaj here kryetarja e qeverisë gjermane ndodhet përballë gazetarëve që lejohen të shtrojnë pyetje nga më të ndryshmet- Por ky nuk është vit si çdo vit tjetër, këtë e di edhe Merkel. E qetë dhe e çliruar pas javëve të mundimshme

Gati përditë e godet, gënjen ose e fyen presidenti Trump kancelaren. Edhe në Europë, të cilën Merkeli do ta shohë të bashkuar, ka më shumë grindje se kurrë më parë. Madje edhe brenda vendit, grindja me CSU-së nga Bavaria për politikën e azilit gati solli dështimin e qeverisë gjermane. Gjatë përshëndetjes Merkel merr vesh se ajo qëndron ulur në këtë sallë për të 23-n herë në karrierën e saj politike. “Mirë që dikush paska numëruar”, thotë ajo

Politika sociale, digjitalizimi, azili

Konferenca vazhdon, me një hyrje të Merkelit për atë që është më e rëndësishme. Në politikën sociale duhet të vendosen piketat ku duhet, në politikën e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor ndaj të moshuarve, por edhe tek digjitalizimi. Së shpejti pritet edhe një strategji e qeverisë për inteligjencën artificiale. Tjetra, qeveria po punon në mënyrë serioze. Ka miratuar dy buxhete brenda katër muajve.

Por edhe politika e azilit nuk harrohet. “Në politikën për refugjatët njerëzit presin nga ne siguri dhe kontrollim të situatës.” Asnjë fjalë për ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer, që Merkelin e kërcënoi me dorëheqje në grindjen për azilin. Asnjë fjalë për Donald Trumpin, Putinin apo autokratin turk, Erdogan. Por gazetarët vazhdojnë të pyesin…Trump e quan Europën “armik”… “Po këtë e regjistroj dhe përpiqem të argumentoj të kundërtën”, përgjigjet Merkel. “Kjo ka sigurisht të bëjë edhe me fuqinë tonë ekonomike.” Por Trump nuk i përmbahet asnjë ujdie, këmbëngulin gazetarët. Merkel e kundërshton këtë, dhe thotë këtë fjalë kuptimplote. “Kuadri i rendit, me të cilin ne ishim mësuar për një kohë të gjatë po tronditet thellësisht.”

Merkel nuk e ka menduar dorëheqjen

Po grindja brenda Gjermanisë? Konflikti i hapur mes partisë CDU dhe simotrës, CSU, nëse Gjermania duhet të kthejë në kufi refugjatët që janë regjistruar në vende të tjera, ashtu si dëshirojnë kristiansocialët? Merkel e kundërshtoi këtë. Pyetjet e gazetarëve drejtoheshin rreth grindjes që gati çoi në dështimin e qeverisë pak javë pas krijimit të saj. “Besoj se ne kemi nxitur pakënaqësinë politike.” E më tej: “Toni ishte mjaft i ashpër. Unë personalisht nuk e pranoj erozionin e gjuhës, sepse kjo është shprehje e të menduarit.” Në fund megjithatë kemi gjetur një ujdi, e kjo vlen të merret në konsideratë, sipas Merkelit. A keni menduar ndonjëherë të jepnit dorëheqjen? “Jo!” thotë Merkel.

Rusia bën luftë hibride

Duhet të dëgjosh me kujdes për të mos e humbur momentin, kur kancelarja shprehet me tone të qarta. Si e sheh ajo takimin mes Trumpit dhe Putinin në Helsinki, dhe çështjen, nëse Rusia e ka manipuluar fushatën zgjedhore amerikane? “Zhvillimi i luftës hibride është për Rusinë një mënyrë veprimi.” Ky nuk është supozim por përcaktim. Kështu mendon Merkeli saktësisht për Putinin. E nëse kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker në javën e ardhshme nuk arrin sukses në grindjen tregtare në takimet Trump, atëherë sipas Merkelit, Bashkimi Europian duhet të merret me “kundërmasat”. Por ky do të ishte varianti më i keq.

Përse gëzohet kancelarja gjermane?

Gazetarët vazhdojnë të pyesin, se si ndjehet ajo personalisht, se sa e kanë lodhur javët e fundit. Prej vitesh ata përpiqen të zbulojnë diçka më shumë nga jeta shpirtërore e kësaj gruaje 64 vjeçare. A nuk e bren e gjithë grindja e këtyre javëve? “Nuk më bren asgjë, për të gjithë ne dalin sfida” e më tej “gëzohem për pushimet, sepse mund të fle më gjatë.” Edhe njëherë vazhdojnë gazetarët të pyesin. Po nuk e ka lënduar grindja me Seehoferin? Nuk e ka ndryshuar? Jo, në fund ka pasur kompromise. “Dhe kompromiset janë konstrukte, ku në fund avantazhet tejkalojnë disavantazhet”, thekson Merkel. E sikur të mos mjaftojë kjo, Merkel vë në dukje se do të qëndrojë në post gjatë gjithë mandatit të saj. “Sepse në tërësi bëhet fjalë për një kohë interesante dhe intriguese.”

@tn.lajmelokale
@tetovanews