Ballina Sport Nga “ferri në parajsë”, historia prekëse e Luka Modriç

Nga “ferri në parajsë”, historia prekëse e Luka Modriç

I është dashur të kalojë edhe atij peripecitë e luftës në Ballkan përpara se të shndërrohet në kampionin që është sot. Luka Modriç ishte vetëm 6 vjeç kur ekzistenca e tij u vu në dyshim pasi i pushkatuan gjyshin dhe në jetën e djaloshit me këmbët magjike do të niste një kalvar vuajtjesh dhe një jetë e re si refugjat në vendin e shkatërruar nga lufta. Por pavarësisht këtyre vuajtjeve, kjo nuk e ndali djaloshin e vogël ambicioz që të shndërrohej në një prej futbollistëve më të mirë të planetit dhe sot, në moshën 32-vjeçare, ai është një superyll.

Drama – Ishte 8 dhjetor 1991 dhe gjatë luftës në Ballkan, milicia serbe hyri në Modriçi, një fshat i vogël pranë maleve Velebit në Dalmacinë veriore dhe përhapën terror te familjet kroate që nuk ishin arratisur ende. Një nga personat që preku zjarri ishte edhe Luka Modriç, i cili ishte duke drejtuar bagëtinë e tij në një rrugë të braktisur kur ai u ndal nga serbët, që e ekzekutuan brutalisht së bashku me 5 banorë të tjerë. Ideja ishte që t’u dërgohej një mesazh banorëve të tjerë të Modriçit që duhet të largoheshin, por ajo ditë vodhi të ardhmen e gjyshit të yllit të ardhshëm të Realit të Madridit.Natyrisht që kjo ngjarje e preku shumë Lukan e vogël. Ai ishte rritur nga gjyshi i tij i dashur me të njëjtin emër, ndërsa prindërit e tij, Stipe dhe Radojka, punonin me orë të zgjatura në një fabrikë trikotazhi për të mbështetur familjen financiarisht. Pas incidentit, prindërit e tij u detyruan të lënë Modriçin dhe u strehuan në “Hotel Iz” në qytetin e Zadarit.

Pa energji elektrike dhe ujë, zhurmat e granatave dhe plumbave u bënë “muzikë” e përditshme në veshët e Lukas dhe motrës së tij Jasmina, për të mos përmendur kërcënimin e minave të groposura përreth. Por kjo frikë nuk e ndaloi djaloshin që të shkelmonte një top të vogël dhe të shpuar futbolli në parkingun e hotelit, duke ëndërruar se një ditë ai do ta harronte jetën e tij në mes të një lufte, shkruan PanoramaSport.

Ky është një testament i një përralle se si nga fundi mund të prekësh majën për katër herë fituesin e Ligës së Kampioneve, që me dedikim dhe vendosmëri ia doli të harronte një tragjedi të tmerrshme.S’e kujton kurrë – Modriç flet rrallë për vështirësitë e tij, por kur ai firmosi me Totenhemin në 2008, komentoi shkurtimisht ngjarjet e fëmijërisë së tij. “Kur nisi lufta, ne u bëmë refugjatë dhe ishte një kohë me të vërtetë e vështirë. Unë isha 6 vjeç. Më kujtohen shumë mirë ngjarjet, por nuk dua që të mendoj për atë kohë. Jetuam në një hotel për shumë vite teksa vuanim financiarisht, por unë e kam dashuruar gjithnjë futbollin. Më kujtohen palestrinat e mia të para, që kishin foton e Ronaldos dhe i dashuroja. Lufta më bëri më të fortë. Ishte një periudhë shumë e vështirë për mua dhe familjen.

Nuk dua të zvarritem me të përgjithmonë, por nuk dua as që ta harroj”. Ishte kjo forca psikologjike që do t’i shërbente Modriçit gjatë karrierës së tij. Mos harroni se po flasim për një lojtar, i cili humbi penalltinë gjatë lojës kundër Danimarkës dhe sërish u prezantua përpara Shmajkëllit pas shtese, duke e dërguar Kroacinë në çerekfinale. Kapiteni mori përsipër edhe penalltinë e dytë për kombëtaren e tij, në fitoren po me 11 metërsha në çerekfinalen kundër Rusisë.Fillim i vështirë – Megjithatë, kur ishte 10 vjeç, Modriç u injorua nga disa trajnerë, që e konsideronin shumë të dobët dhe ndrojtur për t’ia dalë në këtë profesion të vështirë. Hajduku i Splitit e injoroi, derisa Tomislav Basiç, një trajner i një skuadre që Modriç luante në Zadar, e takoi dhe shfrytëzoi kontaktet e tij për t’i siguruar një provë te Dinamo e Zagrebit. Nga atje, talenti i tij lulëzoi. Ai shkoi te Totenhemi dhe më pas te Reali. Tani është emblemë e klubit dhe vendit të tij, ndërsa konsiderohet një nga lojtarët më të çmuar në botë.

Jeta personale – Edhe jeta e tij private shkeli të njëjtat gjurmë. Ai u martua me Vanja Bosniç, e cila është edhe menaxherja e tij, në vitin 2010 në Zagreb. Ata u takuan për herë të parë në agjencinë sportive të Mamiç, ku ajo punonte. Vedran Çorluka, ish-shoku i tij te Totenhemi dhe Kroacia, ishte shoqëruesi i dhëndrit në dasmën e tyre.Fëmija i parë i çiftit, djali Ivano, lindi tri javë pas martesës. Që prej atëherë, ata kanë edhe dy vajza, Emën 5-vjeçare dhe Sofian, e cila lindi vitin e shkuar. Bosniç thuhet se ka një ndikim të madh në jetën e tij. Ishte ajo personi që orkestroi transferimin e tij në Madrid (30 milionë paund). Kështu që nëse Kroacia dhe Modriç do të dalin fitimtarë nesër ndaj Anglisë, ndoshta anglezët nuk duhet ta kenë zili për suksesin e tyre. Ndoshta pakëz fare…

@tn.lajmelokale
@tetovanews