Ballina Teknologji Publikohet fotografia e Samsung Galaxy Tab S4, mund të lansohet muajin e...

Publikohet fotografia e Samsung Galaxy Tab S4, mund të lansohet muajin e ardhshëm

Samsung Galaxy Tab S4 është shfaqur disa herë deri tani dhe ka marrë disa certifikata si nga WiFi, Bluetooth dhe FCC. Megjithatë, asnjëherë nuk është shfaqur pamja e tij.

Tani, në internet është publikuar një fotografi e cila shfaq pjesën e përparme dhe të pasme të këtij tableti.

Gjëja e parë që bie në sy janë skajet, të cilët janë më të hollë për dallim nga Galaxy Tab S3, transmeton Koha.net. Po ashtu, në mungesë të butonit “Home” shihet se hapësira e ekranit është më e madhe.

Gjithashtu, mungesa e butonit “Home” ngrit pyetjen për pozicionin (madje ekzistencën) e skanerit për gishta. A do të përdorë Samsungu skanerin për gishta nën ekran apo skaneri do të vendoset anash? Ose, a do të ketë në të vërtetë një skaner për gishta?

Galaxy Tab S4, siç mund të shohim nga fotografia, vjen me kamerë të përparme (prej 7 megapikselë) së bashku me sensorë të tjerë – njëri prej tyre mund të jetë skaneri për sytë si veçori e cila tashmë është spekuluar se do ta ketë ky tablet.

Gjithashtu, mund të shohim se butoni për kyçje dhe butonat për zërimin janë të vendosur anash, kamerën kryesore (prej 12 megapikselë) me blicin LED, si dhe logon “Tuned by AKG” së bashku me logon e Samsungut në pjesën e poshtme të tabletit.

Sa i përket specifikave, Galaxy Tab S4 mund të vijë me ekran 10.5-inç me rezolucion WQXGA (2560 x 1600) dhe raport prej 16:10, procesor Snapdragon 835, 4 GB RAM memorie dhe 64 GB memorie të brendshme, baterinë prej 7,300 mAh, si dhe sistemin operativ Android 8.1 (Oreo). Po ashtu, spekulohet se do të ofrojë mbështetje për Samsung DeX.

Sa i përket lansimit, ende nuk ka ndonjë konfirmim, por nëse data (24 gusht) që shihet në fotografi nënkupton ndonjë gjë, atëherë mund ta shohim lansimin e tij në IFA 2018.

@tn.lajmelokale
@tetovanews