Ballina Aktualitet Rajoni Shqiptarët e tragjedisë greke, dëshmitë e mbijetesës (VIDEO)

Shqiptarët e tragjedisë greke, dëshmitë e mbijetesës (VIDEO)

Eduard Hoxha është një prej shqiptarëve të mbijetuar në Mati, shtëpia e tij u shkrumbua e gjitha. Në një rrëfim për Vizion Plus, ai tregon se ishte me shumë fat bashkë me gruan dhe dy fëmijët, pasi arritën të largohen në kohë duke i shpëtuar sulmit të flakëve.

Gjithsej në Mati ka 30 familje shqiptare, asnjë nuk është plagosur rëndë, por shqiptarët në këtë zonë thonë se ka dyshime që një burrë nga Himara ka humbur jetën.

E ndërsa zjarret janë shuar përfundimisht, familjet shqiptare po përpiqen t’i kthehen normalitetit. Ndonëse është e vështirë, ato po ndihmohen me ushqime e pajisje të tjera nga autoritetet.

Autoritetet greke ndërkohë konfirmojnë se deri më tani asnjë nga viktimat nuk rezulton të jetë shqiptar. I njëjti informacion vjen edhe nga Ambasada Shqiptare në Greqi.

Kryediplomatja jonë në Athinë Adriana Hobdari tha për Vizion Plus se ekipet shqiptare janë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet greke. Deri më tani rezultojnë pesë shqiptarë të lënduar, të gjithë kanë marrë plagë të lehta. Një grua ndodhet në spitalin Evangelismos, dy fëmijë të moshave 10 dhe 13 vjeç nga e njëjta familje në spitalin Agia Sofia, ndërsa dy të tjerë të plagosur lehtë në zonën e Mati, janë mjekuar në mënyre ambulatore, pasi plagët janë të lehta.

Një pjesë e ekipit të ambasadës greke ndodhet në terren, pasi po fillon gjetja e viktimave ose të mbijetuarve nëpër shtëpi. Pjesa tjetër e stafit të Ambasadës ndodhen në morg ku tashmë ka filluar identifikimi i kufomave nëpërmjet testeve te ADN-së.

@tn.lajmelokale
@tetovanews