Ballina Bota Liderët e dy Koreve takohen sërish

Liderët e dy Koreve takohen sërish

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut njoftuan se udhëheqësit e këtyre vendeve do të takohen në Phenian muajin e ardhshëm.

Njoftimi u bë të hënën, pas bisedimesh të nivelit të lartë mes të dyja palëve në Panmunxhom, në fshatin ku u nënshkrua marrëveshja, që i dha fund luftës mes dy vendeve, i cili ndodhet në zonën kufitare, që ndan veriun autokrat nga jugu demokratik.

Por në deklaratën që njoftonte takimin mes udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in, nuk jepej një datë.

Në muajin prill presidentët e dy Koreve zhvilluan një takim të parë historik në Panmunxhom, që u pasua nga një tjetër në muajin maj, në të njëjtin vend. Nëse bëhet përpara me planet për takimin e shtatorit, presidenti Moon do të ishte udhëheqësi i parë i Koresë së Jugut që do të vizitonte Phenianin.

Takimi i planifikuar i muajit të ardhshëm vjen në vazhdën e një numri të madh hapjesh diplomatike që nga koha kur presidenti Moon pranoi ofertën e Kim Jong Un-it që atletët e Koresë së Veriut të merrnin pjesë në Lojrat Olimpike Dimërore që u zhvilluan në shkurt në Korenë e Jugut.

E gjitha kjo arriti kulmin me takimin historik mes udhëheqësit të Phenianit dhe presidentit amerikan Donald Trump në muajin qershor, ku u nënshkrua një marrëveshje e paqartë sipas së cilës Pheniani duhet të nisë çarmatimin bërthamor.

Artikulli paraprakPSG ‘vërsulet’ për Eriksen, oferta mbi 100 milion euro është e parezistueshme
Artikulli tjetërMAQEDONI, 957 MAGJISTRA DHE 34 DOKTOR SHKENCASH TË PAPUNË