Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq para mijëra serbëve mbajti një fjalim në veri të Mitrovicës. Ai tha se nuk duket e afërt një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, tha se Serbia kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por, as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë.
Këtë deklaratë Vuçiq, e bëri në një tubim para mijëra serbëve të Kosovës, që ishin mbledhur në sheshin kryesor të veriut të qytetit të Mitrovicës.
“Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranoj pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër. Ajo për të cilën po angazhohem është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore”, tha Aleksandër Vuçiq, duke e përsëritur edhe njëherë se nuk ka ndryshim kufiri. Ai tha se nuk duket e afërt një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Jo ndryshim kufiri
“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën. Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, tha Vuçiq. Gjatë fjalimit të tij, Presidenti i Serbisë shfaqi shqetësimin e tij për natalitetin e ulët të serbëve, duke u bërë thirrje atyre “që të bëjnë sa më shumë fëmijë”.
“Serbët nuk do të largohen nga shtëpitë e tyre, do të jenë edhe shumë fëmijë të tjerë këtu. Zgjidhja nuk është afër, por besoj se mund të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme. Ne do të investojmë miliona euro në spitale, shkolla, do ta ndihmojmë popullin tonë në Kosovë. Do të shkojmë në çdo fshat, dhe do të zhvillojmë bizneset e tyre”, deklaroi Aleksandër Vuçiq. Ai tha se sot nuk mundi të zhvillojë një vizitë në një fshat të banuar me serb, “Banjë”, në rajonin e Drenicës për shkak që banorët shqiptarë me barrikada i pamundësuan atij që ta vizitojë këtë fshat dhe për shkak se qeveria e Kosovës e revokoi lejen për vizitë në këtë fshat.
“Herën tjetër do ta vizitojë edhe Banjën”
“U kërkoj falje serbëve të Kosovës që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim, sepse disa njerëz të gjitha rrugët i bllokuan, dogjën goma, dru, gjuajtën me armë, sigurisht që ta frikësojnë dikë, ata që jetojnë në atdheun e tyre dhe askujt s’i kanë marr asgjë. Herën tjetër do ta vizitojë edhe Banjën, vendin të cilin u pengova të shkojë”, tha Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, në një pjesë të fjalimit të tij tha se “Serbia po bëhet çdo ditë e më e madhe, dhe këtë për shkak se nuk është në konflikt me askënd”.”Sot, kemi më shumë se kurrë mbështetjen e botës. Faleminderit miqve tanë nga Rusia, të cilët politikisht ishin me ne, kur nuk ishte askush tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse ne mund të zgjedhim të ardhmen tonë, dhe të themi se nuk duam të hyjmë në NATO, sepse duam të mbajmë neutralitetin tonë ushtarak”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.(dw)