Ballina Bota Trump gënjen dhe ndërsen, sepse kjo ka qenë e dobishme edhe më...

Trump gënjen dhe ndërsen, sepse kjo ka qenë e dobishme edhe më herët për të

Javën e ardhshme amerikanët do të zgjedhin një pjesë të parlamentit të tyre. Në të vërtetë edhe kësaj radhe bëhet fjalë për Donald Trumpin. Presidenti amerikan po frikësohet se do ta humb imazhin e fitimtarit. Dhe po reagon me perfiditet të jashtëzakonshëm. Koment i «Süddeutsche Zeitung».

Nëse republikanët javën e ardhshme humbin zgjedhjet për Kongres, atëherë këtë peshqesh ata do ta kenë nga Donald Trumpi. Presidenti e ka përvetësuar fushatën elektorale. Ai gënjen, ndërsen dhe demonizon dhe kësisoj largon shumë zgjedhës, saqë ata plotësisht të tmerruar votojnë për demokratët.

Nëse republikanët javën e ardhshme i fitojnë zgjedhjet për Kongres, atëherë këtë peshqesh ata do ta kenë po ashtu nga Donald Trumpi. Presidenti e ka përvetësuar fushatën elektorale. Ai gënjen, ndërsen dhe demonizon dhe kësisoj ai i entuziazmon aq shumë përkrahësit republikanë, saqë ata masivisht dalin në zgjedhje dhe mposhtin kandidatët demokratë.

Aktualisht të dy skenarët janë të mundshëm. Dhe meqë ata përshkruajnë dy rezultatet krejtësisht të ndryshme, prapë një gjë i bashkon: personi i Donald Trumpit. Të martën, më 6 nëntor, presidenti nuk kandidon, së paku jo formalisht. De fakto 6 nëntori është një lloj dite e dytë zgjedhore për Trumpin. Nëse fitojnë republikanët, atëherë kjo është fitore e tij; nëse humbin, është humbje e tij.

Donald Trumpi me gjithë fuqinë e tij ka depërtuar në qendër të fushatës elektorale. Ai i ka caktuar temat dhe para së gjithash tonin acidik dhe hapur racist. Nga fitorja e tij para dy vitesh Trump ka mësuar se me radikalizëm fitohen zgjedhjet. Po ashtu shpaguhet nëse e përçan popullin dhe njërën gjysmë e ndërsen kundër gjysmës tjetër. Këtë sukses ai po përpiqet ta përsërisë.

Për këtë arsye Trump me aq ashpërsi ka luftuar për kandidatin e tij për gjykatës Brett Kavanaugh. Përkrahësit e tij nuk do ta kishin falur nëse do të ishte tërhequr. Për këtë arsye Trump tani po shpik rrëfime frikësuese mbi gjoja invadimin nga ana e emigrantëve ilegalë nga jugu.

Zgjedhësit duhet të kenë frikë dhe të tërbohen, sepse njerëzit e frikësuar dhe të tërbuar shkojnë më shumë në zgjedhje se ata që janë të kënaqur. Për këtë arsye Trump i shpallë emigrantët dembelë që jetojnë në kurriz të vendasve, gazetarët i quan armiq të popullit dhe demokratët një turmë të majtë radikale. Ky është parimi më vjetër nga doracaku i demagogjisë: tregoju njerëzve një armik. Përçaj dhe sundo.

Trumpit aq i bën nëse kështu shoqëria amerikane dëmtohet në mënyrë të pariparueshme. Atij i intereson vetëm vetja e tij. Ai e di saktë se çfarë dëmi bën. Ai dëshiron ta bëjë këtë dëm, sepse përçarja dhe histeria që e shkakton për të është e dobishme.

Nga pikëpamja e Trumpit kjo është konsekuente. Nga këto zgjedhje varet shumëçka për të. Shumicat republikane në Kongres, bashkë me frikën e miqve të tij partiakë, kanë qenë deri më tani shtyllë e rëndësishme e pushtetit të tij. Një shtëpi e reprezentantëve e dominuar nga demokratët mund t’i shkaktojë shumë probleme atij, para së gjithash nëse demokratët frenojnë radikalizmin e tyre dhe nuk marrin vetëm hak, por u tregojnë amerikanëve se dinë të qeverisin mirë. Dhe politikanët republikanë ndoshta do të bëheshin pak më të guximshëm kur do ë shihnin se tërbimi i Trumpit mund t’u kushtojë atyre me vendin e punës.

Të dyja këto do të ishin të rrezikshme për Trumpin. Ai jeton nga imazhi i fitimtarit të fuqishëm. Por, nëse nuk fitojnë republikanët, ai befas do të jetë një humbës i dobët. Kush e do një president të tillë?(dp)

@tn.lajmelokale
@tetovanews