Ballina Bota Zbuten rregullat për azil: Gjermania lehtëson rregullat për punësimin e të huajve

Zbuten rregullat për azil: Gjermania lehtëson rregullat për punësimin e të huajve

Koalicioni qeverisës në Gjermani ka pranuar të zbusë rregullat e emigracionit për shtetas nga vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian.

Partitë në pushtet hartuan një projektligj të ri që lehtëson hyrjen e kësaj kategorie shtetasish për arsye punësimi, megjithatë jo të gjithë do të mund të përfitojnë nga rregullat e reja. Ministria gjermane e Punëve të Brendshme, ajo e Punës dhe ajo e Ekonomisë, ranë që të treja dakord me rregullat e reja, një kompromis i arritur parimisht në tetor, duke i dhënë fund kështu mosmarrëveshjeve të gjata brenda koalicionit qeverisës.

Sipas të përditshmes “Süddeutsche Zeitung”, një prej hapave më të rëndësishëm është heqja dorë prej legjislacionit që i kërkon punëdhënësit të provojë se as një shtetas gjerman, e as një shtetas i BE-së nuk gjendet dot për të zënë një pozicion përpara se ai t’i ofrohet një tjetër emigranti.

Ligji i ri do të lehtësojë gjithashtu kufizimet e lidhura me përparësinë e dhënë profesioneve që kishin më shumë vende të lira sesa aplikantë, siç është kujdesi për të moshuarit. Do të vendosen ndërkohë edhe norma për t’i lejuar atyre që përfundojnë shkollimin profesional në Gjermani që të kenë kohë në dispozicion për të gjetur një punë.

Sipas gazetës “Handelsblatt” megjithatë, disa vende pritet të përjashtohen nga këto rregulla. Qeveria gjermane ende nuk ka publikuar një listë, por nga sa pretendon e njëjta gazetë, në të ka gjasa të përfshihen vendet e origjinës së shumë azilkërkuesve.