Në seancën e mbrëmshme të Kuvendit të Kosovës, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami e quajti skandaloz vendimin e Qeverisë Haradinaj për ndarjen e mjeteve për familjet e të dënuarve dhe të vrarëve në ngjarjet e Kumanovës. Ndër 50 vendimet skandaloze sipas saj që mori Qeveria Haradinaj, është edhe vendimi për familjarët në fjalë.
“Korrupsion ka pothuajse çdo ditë, ju e keni pa, janë mbi 50 vendime të Qeverisë, nga ma skandalozet, ku ndahen para për të quar veteran në deti, qoftë kur ndahen familjeve të te akuzuarve për terrorizëm në rastin Kumanova dhe plotë vendime tjera. Çka nuk ka, ndahen taksat taksat e shtetit, për kësi lloje qëllime” , ka thënë Bajrami para deputetëve.
E familjarët e të dënuarit me burgim të përjetshëm pas ngjarjeve në Kumanovë, Valdet Zekës, kanë deklaruar se ndjehen të indinjuar pas fjalimit të deputetes Bajrami. Babait i Valdetit, Smajl Zekaj ka thënë se fjalët e thëna mbrëmë nga deputetja mund t’i quaj ‘marri’.
“Hykmetja mbrëmë ka folur fjalë që mund t’i quaj marri. Ajo përmend një ndihmë që kryeministri Haradinaj u ka dhënë çlirimtarëve. Gabon Hykmetja kur ata i quan terroristë, sepse nëse ata janë terroristë atëherë e gjithë Ushtria Çlirimtare janë të tillë”, ka thënë për Tv Dukagjini, Smajl Zekaj, babai i Valdetit.
Përpos babait, edhe nëna e Valdet Zekës, Shyhrete Zekaj tha se fjalimi i Bajramit ka qenë politik. Sipas saj, djali nuk shkoi në Kumanovë për para, por sipas saj ai shkoi për ndjenja shqiptare.
“Kam shumë qejf të takohem me Hikmete Bajramin, dhe t’i tregoj se djali im ka boll dhe nuk ka shkuar për para. Tjerët nuk kanë por kanë shkuar [në Kumanovë] për ndjenja shqiptare që kanë. Nuk kanë shkuar për përfitime. Unë e respektoj Ramush Haradinajn që i vetmi ai ka bërë diçka për këta djem. Zoti e bekoftë. Zoti në qiell e qoftë”, deklaron e ëma e Valdet Zekës, Shyhrete Zekaj.
Ndryshe Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Ramush Haradinaj pati marrë vendim për ndarjen e një fondi prej 290 mijë eurosh si ndihmë për familjarët e të dënuarve nga “rasti Kumanova”.