Ballina Bota Nëse Veriu denuklearizohet, Trump do t’i plotësojë çdo dëshirë Kim Jong-un

Nëse Veriu denuklearizohet, Trump do t’i plotësojë çdo dëshirë Kim Jong-un

Denuklearizimi i Koresë së Veriut duket se është kthyer në mision “jetë a vdekje” për Presidentin amerikan Donald Trump, i cili nga prapaskenat e takimit të liderëve të G20-ës në Argjentinë, duket se është shprehur i gatshëm të plotësojë dëshirat e Kim Jong un, nëse ky i fundit pranon kushtin e vendosur nga SHBA.

Donald Trump i ka kërkuar Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in të transmetojë mesazhin e tij për Kim gjatë samitit të G20 në Argjentinë. Ishte vetë Moon ai që i rrëfeu gazetarëve këtë detaj pas largimit nga vendi.

“Trump vuri në dukje se ai ka një pikëpamje shumë miqësore rreth Kryetarit Kim dhe se ai e pëlqen atë”, tha kreu i Koresë së Jugut, cituar nga Agjencia e Lajmeve Yonhap.

“Presidenti i SHBA dëshiron që Koreja e Veriut të zbatojë pjesën tjetër të marrëveshjes së tyre dhe se ai do të plotësonte ato çka Kim dëshiron që të realizohen”, tha ndër të tjera Moon.

Trump dhe Kim mbajtën një takim të rëndësishëm në Singapor në qershor, ku ranë dakord të heqin dorë nga armët bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë për Korenë e Veriut.

Marrëdhënia midis Trump dhe Kim ka pasur ulje dhe ngritje. Vitin e kaluar, Trump e quajti atë “Burri i vogël raketor” prej kërcënimit të Koresë së Veriut për të lëshuar “zjarrin dhe zemërimin që bota kurrë nuk e ka parë”.

Pheniani gjithashtu nuk kurseu kritikat, duke e quajtur Trump një “person të sëmurë mendërisht”.

Megjithatë, para dhe gjatë samitit të Singaporit, Trump i referohej udhëheqësit të Koresë së Veriut si “i dashur Kryetari Kim”. Në shtator, ai e quajti Kimin “shumë të hapur” dhe “të frikshëm” dhe tha se ai dhe Kim ranë «në dashuri».

Ndërkohë Seuli zyrtar ka sqaruar se Moon dhe Trump folën për denuklearizimin në G20. Ata ranë dakord se sanksionet ekzistuese kundër Koresë së Veriut do të mbeten në vend derisa shteti komunist të denuklearizohet plotësisht.

Bisedimet vijnë në kulmin e raportimeve se Kim mund të takohet me Moon në Seul në muajt e ardhshëm, duke shënuar herën e parë që një udhëheqës i Koresë së Veriut viziton Korenë e Jugut.

Nëse bëhet, vizita historike mund të tregojë gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar, vuri në dukje Moon, sipas Yonhap.

“Unë besoj se vizita Kim në Seul do të jetë një mesazh paqësor për botën dhe gjithashtu një mesazh i angazhimit të tij ndaj denuklearizimit dhe përkushtimit për zhvillimin e marrëdhënieve ndër-koreane”, tha ai.

Ndërkohë Trump ka thënë se ai pret të takohet me Kim në janar apo shkurt 2019.

“Ne jemi duke ecur shumë mirë”, u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One, teksa premtoi të ftonte Kim në Shtetet e Bashkuara.

@tn.lajmelokale
@tetovanews